Darka e Zotit është një dhuratë e mrekullueshme nga Perëndia dhe është një vulë e premtimeve të Perëndisë për të gjithë ata që kanë ardhur te Krishti me pendim dhe besim. Sa më shumë ta kuptosh kuptimin dhe domethënien e Darkës së Zotit, aq më shumë do të përfitosh prej saj. Këtu janë pesë mënyra se si mund të marrësh më shumë nga Darka e Zotit.
1. Shiko mbrapa
- “Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: ”Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim” (1 e Korintasve 11:23-25).
Në tryezën e Zotit, Krishti na thërret të shikojmë prapa dhe të kujtojmë sakrificën e Tij për ne në kryq duke marrë bukën dhe verën. Meqenëse Jezusi dhe Pali i dhanë rëndësi të veçantë bukës dhe verës, ia vlen të mendojmë për rëndësinë e secilës.
Buka
Buka flet për trupin e Krishtit, në të cilin Ai jetoi një jetë njerëzore të përsosur. Jezusi jetoi jetën që askush nga ne nuk mund ta arrinte kurrë. Ai kurrë nuk foli një fjalë mëkatare ose kishte një mendim mëkatar. Ai i bindej gjithmonë vullnetit të Atit. Ai gjithmonë pati dashuri, gjithmonë shpresoi, gjithmonë besoi. Trupi i Jezusit flet për jetën e Tij të përsosur që u dha për ne. Ai e dha atë jetë të bindjes së përsosur, në mënyrë që ne që jemi kaq larg drejtësisë së Perëndisë të gjejmë tek Ai, atë që nuk kemi në vetvete.
Kur vijmë në tryezën e Zotit, shpesh ndihemi të padenjë. Por Zoti na kujton me anë të bukës, se shpëtimi ynë nuk qëndron në përparimin e punës së Frymës së Shenjtë në ne, por në përfundimin e veprës së Krishtit për ne. Asnjë prej nesh nuk i ka ofruar ndonjëherë Perëndisë bindje të përsosur dhe nuk do ta bëjmë kurrë, por kur marrim bukën, na kujtohet se Perëndia e numëron bindjen e Tij të përsosur sikur të ishte e jona.
Vera
Vera flet për gjakun e derdhur të Jezusit. Gjaku në vena tregon jetën, por gjaku i ndarë nga trupi tregon vdekjen. Buka flet për bindjen e Zotit tonë; vera flet për sakrificën e Tij.
Duke mos pasur asnjë mëkat të Tijin, Jezusi zgjodhi të mbajë tonin. Ai u bë sakrifica jonë, duke thithur gjykimin e Perëndisë. Dhe nëpërmjet derdhjes së gjakut të Tij, Ai na dha falje. Perëndia dëshiron të vulosë atë që Krishti ka bërë për ne në mendjet dhe zemrat tona, kështu që Ai na thotë të marrim bukën dhe verën në kujtim të Tij.
2. Shiko në brendësi
- “Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa” (1 e Korintasve 11:28)
Kur vjen në tryezën e Zotit, Krishti të thërret për t’i bërë vetes disa pyetje të sinqerta. Kjo është e rëndësishme sepse Pali thotë këtë “Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit” (1 e Korintasve 11:27). Çfarë do të thotë të pish në mënyrë të padenjë? Si mund ta di nëse duhet ta marr Darkën e Zotit? Më poshtë janë dy pyetje të thjeshta që do të ndihmojnë të shqyrtosh veten:
1. A besoj?
Shiko kryqin. Mendo se çfarë thotë Perëndia përmes imazhit të bukës dhe verës. A beson në Birin e Perëndisë që të deshi dhe dha Veten për ty?
Nëse përgjigja është “Po”, atëherë duhet të vish në tryezë dhe të marrësh bukën dhe verën. Nëse përgjigja është ‘Jo, unë nuk besoj’, atëherë duhet t’i bësh vetes një pyetje tjetër:
A jam i gatshëm të besoj në Krishtin tani?
Krishti po të fton të ulesh në tryezë. Mund të vish tek Ai me të gjitha dyshimet e tua, me të gjitha konfliktet e tua të pazgjidhura dhe të thuash: “Kam nevojë për hirin Tënd. Me duhet ndihma Jote. Kam nevojë për faljen Tënde.” Nëse ke këtë dëshirë, eja tek Krishti me besim, gati për të marrë nga dora e Tij e hirshme.
2. A jam i penduar?
Nëse përgjigjja për këtë pyetje është “Po” – atëherë duhet të vish në tryezën e Zotit. Kjo tryezë është për mëkatarët që shohin nevojën e tyre për Jezus Krishtin.
“Njerëzit që e konsiderojnë veten të drejtë, të cilët mendojnë se janë të shpëtuar nga veprat e tyre, nuk duhet të vijnë në tryezën e Zotit,” shkroi J.C. Ryle. “Çfarë deklarojmë në Darkën e Zotit? Ne pohojmë publikisht se nuk kemi asnjë mirësi, drejtësi apo denjësi për veten tonë dhe se e gjithë shpresa jonë është tek Krishti. Ne pohojmë publikisht se jemi fajtorë, mëkatarë dhe të korruptuar dhe natyrshëm meritojmë zemërimin dhe dënimin e Perëndisë… Tani çfarë lidhje ka një njeri që e konsideron veten të drejtë me një urdhërim si ky?”[1]
Darka e Zotit është për mëkatarët që shohin nevojën e tyre për hirin dhe mëshirën e Perëndisë. Nëse e sheh nevojën tënde për mëshirën e Zotit sot, atëherë eja. Por nëse ka një mëkat të njohur që ti refuzon të heqësh dorë, nuk duhet të vish në tryezë. Vëre, nuk thashë “nëse ka një mëkat, që të duket i vështirë të heqësh dorë, por nëse ka një mëkat, që ti refuzon të heqësh dorë”. Nëse po thua, “Unë e di që ajo që po bëj është e gabuar, por do të vazhdoj ta bëj” ti po e largon veten nga hiri i Perëndisë.
- “I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.” (Isaia 55:7).
Hiri i Perëndisë mund të merret nga çdo person që është gati të largohet nga mëkati dhe ta marrë atë.
3. Shiko lart
Darka e Zotit filloi si një vakt në të cilin dishepujt ndanë bashkësi me Jezusin. Për ne është e njëjta gjë. Jezusi u ngjit në qiell dhe u ul në të djathtën e Atit. Dhe ne ndajmë miqësinë me Jezusin ndërsa i afrohemi Atij me anë të besimit. Buka dhe vera na kujtojnë, se Jezusi do të mbajë shpirtin tënd, ashtu si ushqimi mban trupin tënd.
Imagjino të shkosh në një restorant të mirë. Ti je ulur në një tavolinë dhe të jepet një menu që tregon imazhet e ushqimit. Kur vjen kamerieri, ai shpjegon menunë dhe rekomandon pjatat e tij të preferuara. Por supozo se më pas largohesh nga restoranti pa porositur ose ngrënë ndonjë gjë.
I gjithë kuptimi i të vajturit atje do të humbiste. Arsyeja pse shkon në një restorant nuk është për të parë fotot e ushqimit, ose për të dëgjuar kamerierin duke përshkruar ushqimin, por për të ushqyer veten duke ngrënë ushqimin.
Kur vjen në Tryezën e Zotit, porosit atë që është në menu. Thuaji Perëndisë se dëshiron atë që Ai ka premtuar. Thuaji Atij se je i uritur për një prekje të re të dashurisë së Tij. Thuaji Atij se dëshiron të shohësh më shumë nga lavdia e Tij. Thuaji Atij se do të doje të shijoje mirësinë e Tij. Thuaji Atij se shpirti yt është i thatë dhe i etur dhe se duhet të ripërtërihesh nga Fryma e Tij e Shenjtë. Tryeza e Zotit na jep një mundësi të veçantë për t’iu afruar Atij me besim dhe për t’u ushqyer prej Tij. Pra, kur të vish në Tryezën e Zotit, shiko lart tek Shpëtimtari yt i ringjallur. Kërko dhe merr prej Tij.
4. Shiko përreth
- “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.” (1 e Korintasve 11:26)
Disa njerëz kanë idenë se njerëzit që vijnë në kishë, mendojnë se janë më të mirë se të gjithë të tjerët. E vërteta është e kundërta. Duke marrë bukën dhe verën, ne po themi hapur se shpresa jonë për jetën e përhershme nuk gjendet në asgjë që kemi bërë për Jezusin, por mbështetet tërësisht në atë që Jezusi ka bërë për ne.
Ne shpallim vdekjen e Krishtit “derisa ai të vijë”. Pasi i udhëzoi dishepujt e Tij të pinin verën, Jezusi tha: “Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim” (Mateu 26:29).
Kur vijmë tek tryeza e Zotit, le të mendojmë për ditën e lavdishme kur të gjithë ata që besojnë do të darkojnë me Jezusin në mbretërinë e Tij të përsosur, duke u gëzuar në praninë e Tij për gjithë përjetësinë. Pritja me padurim për atë ditë do të të forcojë në shpresë.
Deri në Atë Ditë
Një ditë ti do të vish në Darkën e Zotit për herë të fundit. Kur Krishti të të thërrasë në shtëpi, besimi yt do të kthehet në shikim, ndërsa do të trasferohesh nga adhurimi i tokës në adhurimin e qiellit. Deri atë ditë, shiko mbrapa, shiko në brendësi, shiko lart, shiko përreth dhe shiko përpara. Merr forcë nga Shpëtimtari yt ndërsa ha nga buka dhe pi nga vera.
Ky artikull është marrë dhe përshtatur nga predikimi i Pastor Colin, “Darka e Zotit” (“The Lord’s Supper”), nga seria e tij, Adhurimi: Çfarë bëjmë dhe pse e bëjmë atë ( Worship: What We Do and Why We Do It)