7 Veçori të Mësuesve të Rremë

  • “Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë;” (2 Pjetri 2:1)

Nuk ka “nëse, dhe ose por” në fjalët e Pjetrit. Është një deklaratë e qartë dhe e prerë. Kishte profetë të rremë midis njerëzve (të Izraelit në Dhiatën e Vjetër). Kjo është një çështje historie. Profetët e rremë ishin një problem i vazhdueshëm në Dhiatën e Vjetër dhe ata që deklaronin në mënyrë të rreme se ishin profetë të Perëndisë duhej të vriteshin me gurë. Njerëzit rrallë kishin dëshirë të merreshin me ta, kështu që ata u shumuan, duke shkaktuar shkatërrim në jetën shpirtërore të popullit të Perëndisë. 

Në të njëjtën mënyrë Pjetri po thotë: “do të ketë midis jush mësues të rremë”. Kushtoji vëmendje fjalëve “midis jush”. Pjetri po i shkruan kishës duke i thënë: “Do të ketë midis jush mësues të rremë”. 

Ai nuk po flet për njerëzit e kohëve të sotme në televizion. Ai po flet për njerëzit në kishën lokale, anëtarë të një kongregacioni vendas. Nuk ekziston një kishë e pastër. Nuk do ta gjesh kurrë. Gruri dhe barërat e këqija rriten së bashku. Warren Wiersbe shkruan: 

  • Satani është mashtruesi. . . . Ai ka një ungjill të rremë (Galatasve 1:6-9), të predikuar nga mësues të rremë (2 Korintasve 11:13-12), duke prodhuar të krishterë të rremë (2 Korintasve 11:26). . . . Satani i mbjell mashtruesit e tij kudo ku Perëndia mbjell besimtarë të vërtetë (Mateu 13:38). 

E Vërtetë Apo E Rremë?

Si do ta zbulosh krishtërimin e rremë? Tek 2 Pjetri 1 lexojmë për besimtarët e vërtetë. Dhe te 2 Pjetri 2 lexojmë për besimtarët e rremë. Nëse i vendos këta kapituj ngjitur me njeri tjetrin, do të shohësh ndryshimin midis besimtarëve të vërtetë dhe atyre të rremë.

1. Burim i ndryshëm—Nga vjen mesazhi? 

Pjetri thotë, “Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përrallave të sajuara me mjeshtri;” (1:16). Dhe pastaj ai thotë se mësuesit e rremë ju shfrytëzojnë  “Dhe në lakminë e tyre do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shpifura” (2:3). Pra, mësuesi i vërtetë e merr atë që thotë nga Bibla. Mësuesi i rremë mbështetet në krijimtarinë e tij. Ai krijon një mesazh të tijin të personalizur.

2. Mesazh i ndryshëm—Cili është thelbi i mesazhit?

Për mësuesin e vërtetë, Jezus Krishti është qendra.  “Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë” (2 Pjetrit 1:3). Për mësuesin e rremë, Jezusi është në kufi: “Do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata;” (2 Pjetrit 2:1).

Kushtoji vëmendje fjalës fshehurazi. Është e rrallë që dikush në kishë ta mohojë hapur Jezusin. Lëvizja larg qendrës së Krishtit është e hollë. Mësuesi i rremë do të flasë se si njerëzit e tjerë mund të ndihmojnë në ndryshimin e jetës tënde, por nëse dëgjon me kujdes atë që ai thotë, do të kuptosh se Jezus Krishti nuk është thelbësor për mesazhin e tij.

3. Pozicion i ndryshëm—Në cilin pozicion do të të lërë mesazhi? 

I krishteri i vërtetë “i shpëton prishjes që është në botë për shkak të lakmisë.” (2 Pjetrit 1:4). Dëgjo se si Pjetri e përshkruan të krishterin e rremë: “ndërsa u premtojnë atyre liri, ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse një bëhet skllav i atij që e mundi” (2 Pjetrit 2:19). Besimtari i vërtetë largohet nga korrupsioni, ndërsa besimtari i rremë zotërohet prej tij.

4. Karakter i ndryshëm—Çfarë lloj njerëzish prodhon mesazhi? 

Besimtari i vërtetë ndjek mirësinë, diturinë, vetëkontrollin, këmbënguljen, perëndishmërinë, mirësinë e vëllait dhe dashurinë (shih 2 Pjetrit 1:5). I krishteri i rremë karakterizohet nga arroganca dhe shpifja (shih 2 Pjetrit 2:10).  Ata “kanë zemër të stërvitur në lakmime” dhe “Sytë i kanë plot me kurorëshkelje” (2 Pjetrit 2:14). Ata gjithashtu “përbuzin pushtetin” (2:10). Kjo është një karakteristikë e përgjithshme e një besimtari të rremë.

5. Apelim i ndryshëm—Pse duhet ta dëgjoni mesazhin? 

Mësuesi i vërtetë i drejtohet Shkrimit. “Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, së cilës bëni mirë t’i kushtoni kujdes” (2 Pjetrit 1:19). Perëndia ka folur dhe mësuesi i vërtetë i drejtohet Fjalës së tij. Mësuesi i rremë bën një apel krejt tjetër: “Sepse duke mbajtur ligjërata jashtë mase të fryra dhe të kota bëjnë për vete, me anë të pasioneve të mishit dhe të paturpësisë, ata që me të vërtetë kishin shpëtuar nga ata që jetojnë në gabim;” (2 Pjetrit 2:18). Pra, mësuesi i vërtetë pyet: “Çfarë ka thënë Perëndia në Fjalën e tij?” Mësuesi i rremë pyet, “Çfarë duan të dëgjojnë njerëzit? Çfarë do të tërheqë mishin e tyre?” 

6. Fruta të ndryshme—Çfarë rezultati ka mesazhi në jetën e njerëzve? 

Besimtari i vërtetë është efektiv dhe produktiv në njohurinë e tij ose të saj për Jezus Krishtin (2 Pjetrit 1:8). Besimtarët e rremë janë “burime pa ujë” (2:17). Kjo është një foto e jashtëzakonshme! Ata premtojnë shumë, por prodhojnë pak.

7. Fund i ndryshëm—Ku të çon në fund mesazhi?

Këtu gjejmë kontrastin më shqetësues nga të gjithë. Besimtari i vërtetë do të marrë “hyrjen në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.” (2 Pjetrit 1:11). Besimtari i rremë do të përjetojë “shkatërrim të shpejtë” (2:1). “Ndëshkimi i tyre që moti nuk vonon dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit.” (2 Pjetrit 2:3).

 

Jezusi na thotë se do të ketë shumë që janë përfshirë në shërbim në emrin e tij, të cilëve ai do t’u thotë: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë” (Mateu 7:23). Kush janë këta njerëz? Me siguri Pjetri po i përshkruan ata në këtë kapitull. 

Mos Ji Naiv 

Nuk duhet të jemi të paditur: “Do të ketë midis jush mësues të rremë” (2:1). Pra, si ta zbatojmë këtë paralajmërim? 

Së pari, deklarata e qartë e Pjetrit na kujton se kisha duhet të mbrohet.  Mes shumë njerëzve të mrekullueshëm që vijnë nga dyert e kishës çdo vit, disa do të bënin më shumë dëm sesa mirë. 

Ata mund të duken njerëzit më të mirë, por nuk besojnë në autoritetin e Biblës ose në ekskluzivitetin e shpëtimit në Krishtin. Ne i mirëpresim këta njerëz, sepse ata kanë nevojë për Krishtin po aq sa ne, por nuk duhet t’i lejojmë ata të kenë ndikim në kishë. 

Së dyti, skeptikët do të jenë gjithmonë në gjendje të tregojnë hipokrizinë dhe mospërputhjen në kishë. Ata e kanë bërë gjithmonë dhe do ta bëjnë gjithmonë. Një nga arsyet më të çuditshme për të mos ndjekur Krishtin është kjo deklaratë: 

“Kam parë njerëz në kishë që janë hipokritë.” Prandaj, ti nuk do të ndjekësh Krishtin sepse disa njerëz që pretendojnë se e bëjnë këtë janë hipokritë? 

Ekzistenca e falsifikimit nuk është kurrë një arsye e mirë për të refuzuar origjinalin. Pjetri në thelb po na thotë, “Sigurisht që ka të krishterë të rremë. Sigurisht që ka mësues që i bëjnë kishës më shumë dëm sesa mirë. Çfarë tjetër do të prisje në këtë botë të rrënuar? Rritu! Mos ji naiv! Mos e humb atë që është e vërtetë thjesht sepse ke parë të krishterin e rremë.” 

Herën tjetër kur të takosh dikë që fshihet pas këtij justifikimi, shiko 2 Pjetrit 2:1.