Në Çfarë Besojmë

2 Timoteut 3:16-17

“I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.”

Shkrimet e Shenjta

Ne besojmë se Shkrimet e Shenjta, si Dhjata e Re, ashtu edhe Dhjata e Vjetër, në tekstet e tyre origjinale, janë tërësisht të frymëzuara prej Frymës së Shenjtë, pa gabime dhe jane autoriteti përfundimtar për Kishën. Referencat biblike: 2 Timoteut 3:16; 1 Korintasve 2:13

Doktrina e Perëndisë

Ne besojmë se ka vetëm një Perëndi, përjetësisht
ekzistues në tre persona: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Referencat biblike: Mateu 28:19; 2 Korintasve 13:14

Doktrina e Krishtit

Ne besojmë në hyjninë absolute dhe njerëzishmërinë e plotë të Zotit tonë Jezus Krisht. Ne besojmë në lindjen e Tij prej virgjëreshës Mari, në jetën e Tij pa mëkat, në vdekjen e Tij çliruese dhe zëvëndësuese, në ringjalljen e Tij fizike dhe në veprën e Tij ndërmjetësuese në qiell tani. Referencat biblike: Luka 1:26-35; Gjoni 1:14-18; 1 Korintasve 15:1-4

Doktrina e Frymës së Shenjtë

Ne besojmë në personalitetin dhe hyjninë e Frymës së Shenjtë. Ne besojmë Ai jep jetë, shenjtëron, fuqizon dhe ngushëllon të gjithë besimtarët. Referencat biblike: 1 Korintasve 2:4; Gjoni 15:26-27; Veprat 1:8

Doktrina e Krijimit

Ne besojmë se i pëlqeu Perëndisë Atë, Bir dhe Frymës së Shenjtë, për lavdinë e Tij, në fillim të krijonte nga hiçi, botën dhe gjithçka në të, të dukshme dhe të padukshme, në gjashtë ditë dhe gjithçka në mënyrë të përsosur. Pasi krijoi të gjitha krijesat e tjera, krijoi njeriun, mashkull dhe femër, në imazhin e Tij. Referencat biblike: Hebrenjve 1:2; Zanafilla 1:2; Gjoni 1:2,8; Romakëve 1:20; Zanafilla 1:27; Hebrenjve 11:3; Kolosianëve 1:16.

Doktrina e Shenjtërimit

Ne besojmë se besimi i vërtetë që vepron tek njeriu me anë të dëgjimit të Fjalës dhe veprimit të Frymës së Shenjtë, e rilind dhe e bën të ri, duke e çliruar nga zgjedha e mëkatit. Ky besim i shenjtë, jep frytet e veprave të mira të cilat të rrënjosura në besimin e mirë, janë të pranueshme përpara Perëndisë duke qënë të shenjtëruara nga hiri i Tij, por ato s’i shtojnë asgjë shfajësimit por ne i bëjmë ato jo për të merituar shpëtimin, por si mirënjohje ndaj Tij. Referencat biblike: 1 Korintasve 6:11; Jakobi 2:18,22; Mateu 5:16; 2 Pjetrit 1:5-10

"Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë."

Gjoni 1:14

Shpëtimi i Njerëzimit

Ne besojmë se njeriu shpëtohet përmes pendimit dhe besimit në veprën përfundimtare të Krishtit.
Shfajësimi është vetëm prej hirit. Referencat biblike: Efesianëve 2:8-9; Hebrenjve 9:12-22

Kisha

Ne besojmë se Kisha është trupi i Jezus Krishtit i përbërë prej të gjithë besimtarëve të vërtetë. Detyra e tanishme e Kishës është adhurimi i Perëndisë, përsosmëria e shenjtorëve dhe ungjillizimi i botës. Referencat biblike: Efesianëve 4:11-16; 1 Timoteut 4:13; Hebrenjve 10:25

Rikthimi i Krishtit

Ne besojmë në kthimin personal dhe fizik të Jezus Krishtit për të plotësuar shpëtimin tonë dhe për të vendosur Mbretërinë e Tij të lavdishme.Referencat biblike: Gjoni 14:2-3; 1 Thesalonikasve 4:13-15

Doktrina e Satanit

Ne besojmë në realitetin dhe personalitetin e djallit dhe gjykimin përfundimtar në liqenin e zjarrit për djallin dhe ëngjëjt e tij. Referencat biblike: Mateu 25:41; Zbulesa 20:14-15

Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thosha. Unë po shkoj t'ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.

Gjoni 14:2-3