Në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë. (Efesianëve 2:22).
Nëse je dekurajuar ndonjëherë me kishën, nëse ke ndjerë ndonjëherë dëshirën të heqësh dorë nga kisha (si shumica e të krishterëve në një moment të jetës së tyre), atëherë ky artikull është për ty. Imazhi i Biblës për kishën si një ndërtesë është ajo që të duhet të kuptosh, në mënyrë që të jesh në gjendje të mbash një shërbim gjatë gjithë jetës brenda trupit të Krishtit, kudo që Ai të vendos.
Ndërtimi i Njerëzve
Kur Jezusi tha, “Unë do të ndërtoj kishën time” (Mateu 16:18), ai po fliste për njerëzit. Ky imazh na tregon se qëllimi i Zotit tonë, është që ai dëshiron të na ndërtojë së bashku.
Pjetri, i cili quhet “guri” ose “shkëmbi”, zgjedh të njëjtën temë duke thënë: “edhe ju, si gurë të gjallë” (1 Pjetrit 2:5). Krishti po bashkon një ndërtesë që përbëhet nga njerëz dhe secili prej nesh është si një gur i gjallë.
Por imazhi këtu nuk është një ndërtesë me tulla, por me gurë – të cilët vijnë në të gjitha llojet e formave, madhësive, ngjyrave. Ato janë të gdhendura nga një gurore dhe dalin me cepa të fortë. Aftësia e madhe e Ndërtuesit Mjeshtër është t’i bashkojë ato, në mënyrë që secili të gjejë vendin e tij të veçantë brenda ndërtesës.
Një nga gëzimet e udhëtimit në Skoci është të shohësh “Drystane Dykes” (muret prej guri të thatë). Këto mure nuk kanë llaç – janë thjesht gurë. I gjithë thelbi i saj është se forca e murit varet nga vendosja dhe forma e çdo guri. Është diçka e tillë që apostulli Pal përshkruan te Efesianëve 2:22—secili prej nesh është si një gur i gjallë.
Ne të gjithë kemi personalitetin tonë dhe Krishti e përdor këtë ndërsa ndërton kishën e Tij. Ti mund të vish në kishë dhe të thuash: “Nuk jam aq i sigurt se jam si njerëzit e tjerë këtu”.
Atëherë unë do të përgjigjesha: “Kjo është pikërisht arsyeja pse ti nevojitesh atje.” Zoti të krijoi unik. Ai shpengon atë që krijoi. Atë që Ai i ka vendosur besimtarëve me anë të krijimit, Ai e ka shpenguar tani për të mirën e kishës së Tij dhe për lavdinë përfundimtare të Birit të Tij.
Punë në Vazhdimësi
Apostulli na thotë te Efesianëve 2:21 se “gjithë ndërtesa…” Ndërtimi i Zotit nuk ka përfunduar ende. Pra, askush nuk duhet të habitet nëse kisha lokale duket dhe ndihet më shumë si një kantier ndërtimi sesa një sallë ekspozite.
Kisha përbëhet nga njerëz të zakonshëm që janë në procesin e shpengimit, të gjithë ne mëkatarët jemi në procesin e ripërtëritjes.
Ishte Agustini ai që e përshkroi kishën si “një spital për mëkatarët”. Ai tha se do të ishte shumë e çuditshme nëse njerëzit do të kritikonin spitalet, sepse pacientët ishin të sëmurë. I gjithë kuptimi i spitalit është se njerëzit janë atje sepse janë të sëmurë dhe nuk janë shëruar ende.
Vendos pritshmëritë e tua për kishën lokale me mençuri. Është mjaft e vështirë për dy mëkatarë të ndërtojnë një martesë të mirë. Pra, sa më e vështirë është për 200 mëkatarë apo 2000 mëkatarë të jenë një kishë e mirë?
Kur ta shohim Atë do të jemi si Ai, por deri atëherë jemi si një ndërtesë që është duke u ndërtuar. Në çdo bashkësi besimtarësh, do të zbulosh se ka gjëra që nuk janë bërë ende dhe gjëra që nuk janë në vend. Disa gjëra duhen hequr, të tjera duhen pastruar.
Shumë gjëra janë vetëm të përafërta dhe duhen përfunduar. Kështu do të jetë gjithmonë derisa të vijë Jezus Krishti. Është e lehtë për një kritik dhe cinik të hyjë në kishën lokale dhe të thotë: “Shiko gjithë këtë që nuk është bërë ende. Shiko të gjitha këto që nuk kanë përfunduar ende. Si mund të jetë i pranishëm Jezus Krishti në këtë?” Jezu Krishti është i pranishëm në kishën e Tij si ndërtuesi. Dëshmia e pranisë së Krishtit nuk është se gjithçka është e plotë, por se gjithçka është në proces.
Fakti që kisha shpesh ndihet më shumë si një kantier ndërtimi sesa një sallë ekspozite, është dëshmi e pranisë së ndërtuesit. Nëse nuk e kupton që kisha është një punë në vazhdim, do ta kalosh pjesën tjetër të jetës duke kërkuar përsosmërinë dhe do të përfundosh vetëm. Ky nuk është vullneti i Zotit për ty.
Shtëpi në Përgatitje
Krishti nuk do të jetë ndërtuesi përgjithmonë. Një ditë, ndërtesa “në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë” (Efesianëve 2:22). Me fjalë të tjera, Krishti do të jetë në shtëpi me popullin e Tij kur të përfundojë e gjithë puna e Tij, brenda dhe mes popullit të Tij.
Tema e Dhiatës së Vjetër
Një temë e madhe që përshkon Biblën, është ajo e Perëndisë që kërkon një shtëpi në tokë. Në malin Sinai, Perëndia i tha Moisiut të ndërtonte tabernakullin, një vend takimi midis Perëndisë dhe popullit të Tij. Pastaj Zoti tha diçka edhe më të mirë:
Por do ta kërkoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë midis tërë fiseve tuaj, për t’iu vënë emrin e tij si banesë e tij; (Ligji i Përtërirë 12:5).
Vendi i takimit tani do të ishte një vend banimi. Më vonë Davidi kuptoi se ai vend ishte Jerusalemi. Kjo është arsyeja pse Solomoni e ndërtoi tempullin atje. Dhe kur u ndërtua, reja e lavdisë së Perëndisë mbushi gjithë vendin. Të gjithë njerëzit mund të shihnin provat e dukshme të pranisë së Zotit të Plotfuqishëm. Këtu ishte vendi ku është në të vërtetë Zoti. Këtu ishte vendi ku u bë e njohur prania e Perëndisë, vendbanimi i Perëndisë në tokë.
Ndiqe historinë e tempullit. Populli i Perëndisë mëkatoi kundër Tij në mënyra të ndryshme, tempulli u pushtua përfundimisht dhe populli i Perëndisë emigroi në një vend tjetër për 70 vjet.
Pastaj Perëndia i riktheu në kohën e Ezdrës dhe të Nehemias dhe ata rindërtuan tempullin. Por, kur e përfunduan, asnjë re lavdie nuk zbriti për të mbushur atë tempull.
Deri në fund të Dhiatës së Vjetër, profetët po kërkojnë ditën kur “Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet” (Malakia 3:1). Dhe pastaj një ditë Ai e bëri. Kur Jezusi hyri në tempull, a të kujtohet se çfarë gjeti?
Udhëheqja e tempullit kishte humbur vizionin për shërbimin ndaj kombeve. Ajo nuk ishte më një shtëpi lutjeje, prandaj Jezusi i dëboi tregtarët.
Më vonë Jezusi tha, ”Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!” (Gjoni 2:19). Ai nuk i referohej ndërtesës. Ai i referohej vetvetes, mishit të Tij. A e sheh rëndësinë e madhe të kësaj: “Sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kolosinëve 2:9).
Pastaj Jezusi vazhdoi duke thënë diçka të jashtëzakonshme, “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai” (Gjoni 14:23).
Premtimi i Dhiatës së Re
Nëse e do dhe beson në Zotin Jezus Krisht, ja premtimi i Dhiatës së Re: Ati dhe Biri, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, do të vijnë me të vërtetë për të ndërtuar “shtëpi” në ty.
Kjo është arsyeja pse, më vonë në Dhiatën e Re, ne gjejmë Apostullin Pal duke thënë: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju?” (1 Korintasve 6:19).
Kjo është ajo që ti je. Nëse je në Krishtin, kjo është e vërteta për ty. Dhe nëse je ndër ata që janë të irrituar me kishën, të premtoj këtë: Ti do të jesh më në shtëpi në praninë e Krishtit, si një besimtar, plotësisht i shpenguar në parajsë.
Ti do të jesh më shumë në shtëpi atje, se në çdo kohë dhe në çdo vend ku ke qenë ndonjëherë në gjithë jetën tënde në këtë botë. Ti do të jesh më shumë në shtëpi me Krishtin dhe Ai do të jetë në shtëpi me ty. Asgjë rreth nesh nuk do ta pikëllojë Atë atë ditë, sepse puna e Tij do të përfundojë. Të jesh pjesë e kësaj pune që Krishti po bën në kishë është privilegji më i madh i jetës sonë në këtë anë të qiellit.