Një Kishë Me Ungjillin Në Qendër Është Një Kishë Që Lutet

Shërbesa e Ungjillit, është një shërbesë me anë të cilës ne ndajmë pasionin e Krishtit për botën. Ungjilli nuk erdhi tek ne që të mund të përfundonte me ne. Krishti na e besoi atë ne, që ne t’ua shpallim të tjerëve. Një kishë me ungjillin në qendër, është një kishë misionare me një pasion për të sjellë lajmin e mirë të Jezus Krishtit tek të gjithë njerëzit. Dhe ky mision fillon me lutjen. 

Shërbesa e lutjes së kishës është një nga temat e 1 Timoteut 2. Pali flet për vendin e lutjes në adhurimin publik. Kur bashkësia mblidhet, duhet të sjelli kërkesa, lutje dhe ndërmjetësime me falenderim. Përkushtimi ndaj lutjes ndërmjetësuese në adhurimin publik, është gjithnjë e më shumë jashtë modës. Por Zoti i’a ka dhënë kishës këtë shërbesë. Nëse të krishterët nuk luten për botën, kush do ta bëjë?

Lutja Pasqyron Zemrën E Perëndisë Për Botën

“Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit.”(1 Timoteut 2:1)

Është e qartë që Pali nuk do të thotë, që ne duhet të lutemi për secilin nga 7,8 miliardë njerëz që ekzistojnë në botë. Kjo do të ishte e pamundur. Kur Pali thotë se duhet të lutemi për “të gjithë”, ai nënkupton “të gjithë llojet e njerëzve.” Philip Ryken përshkruan se si lutjet publike të kishës duhet të kenë një “perspektivë globale”.

Ato duhet të përfshijnë çështjet e mëdha të ditës dhe kombet e mëdha të botës. Ndërmjetësimi duhet të bëhet për ripërtëritje, ringjallje dhe reformim në kishë… (dhe) për misionarët, ungjilltarët dhe mbjellësit e kishave. Vuajtjet e kishës së përndjekur dhe dëshpërimi i njerëzimit të pashpëtuar duhet të sillen çdo javë përpara fronit të hirit. (Philip Ryken, 1 Timoteut: Komentari Reformuar Ekspozues, 2007)

Në vargun 8, duket se ka një kapërcim të çuditshëm kur Pali flet për burrat që debatojnë dhe grinden. Por kushtoi vëmendje faktit, se Pali është ende duke folur në lidhje me shërbesën e lutjes së kishës lokale: “Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra, pa mëri dhe pa grindje.” (vargu 8). Shërbesa e lutjes rrjedh nga vdekja shlyese e Jezusit. Është detyra jonë e shenjtë dhe nuk duhet të pengohet nga debatet apo mosmarrëveshjet. Një kishë me ungjillin në qendër nuk ka të bëjë me ne; bëhet fjalë për ungjillin.

“Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës.” (1 Timoteut 2:3-4). Prandaj, kur mblidhemi, lutja jonë publike mund të pasqyrojë zemrën e Perëndisë për botën.

Lutu Për Ata Që Janë Në Autoritet

“…për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.” (1 Timoteut 2:2).

Të gjithë sundimtarët në kohën e Palit ishin paganë, kështu që është e habitshme që Pali thotë se të krishterët duhet të luten për këta sundimtarë paganë me falënderim! Imagjino duke u lutur për Neronin me falenderim!

Për ne sot, kjo do të thotë që ne duhet të lutemi për presidentin tonë, qeveritarët tanë dhe përfaqësuesit tanë. Ne duhet të lutemi për ata që mbajnë poste publike, pavarësisht nëse i kemi votuar apo jo, dhe këtë duhet ta bëjmë me falënderim.

Kushtoji vëmendje faktit se pse duhet të lutemi për ata në qeveri: që ne “të mund të bëjmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.” (1 Timoteut 2:2). Objektivi ynë nuk është që politikanët të ndryshojnë shoqërinë. Është që ne duhet të jetojmë në paqe në mënyrë që ungjilli të ndryshojë shoqërinë. Bibla nuk na inkurajon të kemi shpresa të mëdha te qeverisja njerëzore.

Ne nuk lutemi që qeveria të na çojë në perëndishmëri. Vetëm ungjilli mund ta bëjë këtë dhe ungjilli nuk i është dhënë qeverisë; i është besuar kishës. Qëllimi i Zotit për qeverinë është që të ketë stabilitet dhe paqe. Falenderoj Zotin për të gjithë ata që janë thirrur të shërbejnë në jetën publike. Ne kemi nevojë për më shumë të krishterë në politikë – një thirrje e lartë për njerëzit tanë më të aftë. Por kjo nuk është thirrja e kishës.

Kisha nuk është një organizatë që bën fushatë për ndryshime sociale apo politike. Thirrja jonë është shërbesa e ungjillit që ndryshon jetët njerëzore – jo nga imponimi i ligjeve njerëzore, por nga rigjenerimi i zemrave njerëzore. Faleminderit Zotit që politikanët shkruajnë ligje që frenojnë të keqen. Por kjo është gjithçka që ligji mund të bëjë – të frenojë të keqen. Krishti derdh hirin, besimin dhe dashurinë. Shpresa jonë është që Krishti të ndryshojë zemrat njerëzore nëpërmjet ungjillit.

Philip Ryken shpjegon lidhjen midis lutjes dhe paqes:

Të krishterët që nuk luten për udhëheqësit e tyre në qeveri priren të prishin paqen. Ata janë cinikë me kundërshtarët e tyre në politikë dhe gëzohen kur bien në turp. Meqenëse cinizmi për qeverinë është kaq i përhapur në kishën ungjillore sot, mund të arrijmë në përfundimin se të krishterët nuk janë gjithmonë të zellshëm në lutje për njerëzit në autoritet. 

Nëse lutemi për udhëheqësit tanë në shtet ose kishë, kjo do të ndikojë në mënyrën se si flasim ose shkruajmë për ta. Ti mund të mos jesh dakord me njerëzit për të cilët lutesh, por nuk duhet të jesh cinikë ose i pahijshëm me ta. Ti duhet të lutesh për bekimin e Zotit mbi ta. Ti duhet të gëzohesh për çdo sukses që Zoti u jep atyre. Ky është lloji i lutjes që është i mirë dhe që i pëlqen Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë.

Burra, Mos Jini Pasiv Në Lutje

Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra, pa mëri dhe pa grindje. (1 Timoteut 2:8 ).

Shërbesa e lutjes është një privilegj që u jepet burrave dhe grave. Por Pali po i thërret burrat që të marrin drejtimin këtu. Gratë kanë shkëlqyer shpesh në këtë shërbesë. Pali po u thotë burrave: “Mos jini pasiv këtu. Unë dua që ju të udhëhiqni në lutje.” Kjo është ajo çfarë Perëndia po na thërret të bëjmë në vargun 8:

  1. Ngre lart duar të pastra:

Ti nuk mund të lutesh në mënyrë efektive, për sa kohë që je duke u mbajtur pas një mëkati ose zëmërimi. Mënyra e vetme për t’u lutur, është të dalësh përpara Perëndisë me besim dhe pendim në emrin e Jezus Krishtit, i cili është i vetmi që ka duar të pastra dhe një zemër të dëlirë. Ai është në të djathtën e Atit dhe Ai është atje për ty. Ti mund të lutesh për shkak të Tij.

  1. Lutu pa zemërim:

Kishat e ndara nuk mund ta çojnë përpara ungjillin. Të krishterët në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, nuk mund të arrijnë shumë në mision. Burrat duhet t’i trajtojnë gratë e tyre me butësi dhe respekt, në mënyrë që asgjë të mos i pengojë lutjet e tyre (shih 1 Pjetri 3:7). Zoti ynë na thotë: Nëse vjen për t’u lutur dhe kujton diçka mes teje dhe vëllait tënd, shko dhe rregullo në fillim atë (shih Mateu 5:23).

  1. Lutu me besim:

Fjala e përkthyer “diskutim” është fjala nga e cila marrim fjalën angleze “dialog” – një bisedë me dy zëra. Mund të nënkuptojë argumentim ose dyshim. Prandaj, lutu pa zë të dytë! Me fjalë të tjera, lutu me besim. Mos ji me dy mendje.

Pali thotë, “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.” (1 Timoteut 2:5). Nëse ka një ndërmjetës, duhet të ketë një ungjill. Nëse ka një ungjill, ai duhet të jetë për të gjithë njerëzit. Prandaj, le të ripërtërijmë angazhimin tonë për një shërbesë lutjeje në shkallë globale. Ky është pasioni i një kishe që mban ungjillin në qendër.

Artikull i Pastor Colin Smith. Titulli origjinal A Gospel-Centered Church is a Praying Church”