”Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni, madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja” (1 Pjetri 3:14-15)
Pjetri po na tregon se si mund t’i kapërcejmë frikërat tona. Nëse nuk je në Zotin, gjithçka që nuk mund të kontrollosh do të të shkaktojë frikë. Po sikur të ketë një bombë? Po sikur njëri nga fëmijët e mi të zgjedhë rrugën e gabuar? Po sikur të bëhem me kancer? Por kur Krishti është Zoti i jetës tënde, ti ke arsye të kesh besim. Shpëtimtari yt është Zoti! Jezus Krishti ishte sovran mbi lindjen tënde. Ai është sovran mbi jetën tënde dhe ai do të jetë sovran mbi vdekjen tënde.
Sovran mbi lindjen tënde do të thotë se nga të gjithë miliona njerëz që mund të kishin ardhur nga bashkimi i babait dhe nënës tënde, Zoti të krijoi ty! Me dashuri dhe mëshirë të madhe, ai planifikoi që të jesh për gjithë përjetësinë!
Sovran mbi jetën tënde do të thotë se gjithçka që të ka ndodhur, e mira që ke shijuar dhe e keqja që ke vuajtur, janë të njohura për Zotin para fillimit të kohërave. Jeta është plot surpriza për ne, kthesa të papritura, por asgjë nuk vjen si befasi për Të. Para se një fjalë të jetë në gjuhën time, Zoti e di atë plotësisht.
Sovraniteti i Zotit mbi jetën tënde, do të thotë që Zoti punon përmes gjithçkaje që ka ndodhur në të kaluarën tënde dhe çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen, për të çuar përpara qëllimin e madh për të cilin ai të solli në jetë. Për këtë po flet apostulli Pal kur thotë, “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë” (Romakëve 8:28). Qëllimi i mirë i Perëndisë, është që një pasqyrim i Birit të tij të dashur të rrezatojë nga ty për lavdinë e tij dhe për gëzimin tënd përgjithmonë.
Sovran mbi vdekjen tënde do të thotë se Jezus Krishti është në kontroll të plotë të kohës, rrethanave dhe rezultatit të vdekjes tënde, e cila për një besimtar të krishterë, sa herë që të vijë, do të jetë një përkthim i menjëhershëm në lavdi.
“..Në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua.” (Psalmi 139:16)
George Whitfield tha: “Ne jemi të pavdekshëm derisa puna e jetës sonë të përfundojë”. Ti nuk mund ta përdorësh këtë si një justifikim për sjellje të papërgjegjshme – duke i dhënë makinës në anën e kundërt të rrugës me 150 km në orë. Ky është një abuzim me të vërtetën. Satani e provoi atë abuzim kur i sugjeroi Jezusit që të hidhej nga maja e tempullit, “Asgjë e keqe nuk do të ndodhë!”
Jezusi tha: “Nuk do ta tundosh Zotin, Perëndinë tënd”. Në vend të kësaj, përdore këtë të vërtetë kur lufton me frikën. Nëse ke frikë të udhëtosh me avion, kjo është një gjë e mrekullueshme për t’i thënë vetes ndërsa vendos rripin e sigurimit para fluturimit: “Unë jam i pavdekshëm derisa të përfundojë puna e jetës sime.” Liria nga frika që gëzon një besimtar nën Zotërimin e Krishtit, shprehet bukur në katekizmin e Heidelbergut:
- Pyetje: Cili është ngushëllimi yt i vetëm në jetë dhe në vdekje?
- Përgjigje: Se nuk jam i vetes, por i përkas – trup e shpirt, në jetë dhe në vdekje Shpëtimtarit tim besnik, Jezus Krishtit…Ai gjithashtu kujdeset për mua në mënyrë të tillë, që asnjë fije floku të mos më bjerë nga koka, pa vullnetin e Atit tim në qiell.
Si Duket Kjo Në Praktikë
Të nderosh Krishtin, Zotin, do të thotë të mbash me dorë të hapur gjithçka që ke në këtë jetë. Do të thotë që do ta përdorësh fjalën “e imja” në mënyrë provizore, sikur të ishte në kllapa:
- Shtëpia “ime”, do të thotë shtëpia që Zoti më ka besuar për një kohë.
- Fëmijët “e mi” do të thotë të dashurit që i përkasin Zotit dhe më janë dhënë hua për një kohë.
- Puna “ime” nënkupton shërbimin që Perëndia më ka thirrur të bëj për njëfarë kohe.
- Paratë “e mia” janë burimi që Perëndia më ka besuar për t’i administruar në emër të tij.
- Miqtë “e mi” janë njerëzit që Zoti i ka dhënë si shoqërues për disa xhiro të udhëtimit.
- Jeta “ime”, do të thotë mundësia që më ka dhënë Zoti për të shërbyer sipas dëshirës së tij në këtë botë, derisa të më thërrasë në shtëpi.
Unë mund të flas kështu sepse nuk jam unë ai që jam në fron. Faleminderit Zotit për këtë! Përndryshe, do të isha i mbushur me frikë. Ne do të bëjmë shumë më mirë kur bëhet fjalë për të trajtuar humbjen (qoftë ajo humbje e një pozicioni, humbja e një personi ose humbja e pronës), nëse besojmë dhe kujtojmë, se ajo që kemi i përket Zotit dhe na është huazuar për një kohë.
C.H. Spurgeon thotë: Njeriu nuk qan kur duhet të kthejë një vegël që e ka marrë hua…Ai e dinte që e kishte huazuar, nuk e quajti kurrë të tijën dhe e rikthen duke falenderuar që e kishte për kaq shumë kohë.
Herën e fundit që Moisiu foli me popullin e Perëndisë para se të vdiste, ai u tha atyre: “Shiko, unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen;” (Ligji i Përtërirë 30:15). Njëra mënyrë është një bekim dhe tjetra është një mallkim. Ka një rrugë që do të çojë në jetë, dhe një rrugë që do të çojë në vdekje.
Ndihem pak kështu sot. Jetojmë në një kohë ku lëvizja e madhe e kulturës sonë është të kurorëzojmë veten si zot. Ec drejt asaj rruge dhe gjithmonë do të jesh i përhumbur nga frika. Nuk mund të ketë mallkim më të madh, se mallkimi i asaj rruge dhe mjerim më të madh, se mjerimi që shtrihet në fund të saj.
Dua të them me Moisiun, “Zgjidh rrugën që të çon në jetë, rrugën në të cilën kurorëzon Jezusin, Birin e Perëndisë dhe Zotin dhe Shpëtimtarin e jetës tënde.” Mik, kur mund të thuash, “Sepse për mua të jetuarit është Krishti,” atëherë gjithashtu do të mund të thuash, “të vdekurit është fitim” (Filipianëve 1:21).
Këtu është dëshmia: “Sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin;” (Romakëve 14:8). Kur ky Shpëtimtar është Zot sovran mbi jetën tënde, mbi vdekjen tënde dhe mbi përjetësinë tënde nga çfarë mund të kesh frikë?
Thuaje sot për të gjitha frikërat e tua: “Unë jam i pavdekshëm derisa puna e jetës sime të përfundojë”.