Si Të Gjesh Gëzim Kur Jeta Është E Vështirë

Në çdo fushë të jetës, do të ketë kohë me bekime të mëdha dhe kohë me vështirësi të mëdha. Do të ketë raste kur do të ndihesh plot gëzim dhe mund të ketë raste kur mund të ndihesh mjaft i dëshpëruar. Por sido që të jenë rrethanat e tua sot, Zoti të thotë: “Ji i gëzuar në shpresë..” (Romakëve 12:12).

A të duket e pamundur të gëzohesh, kur sheh situatën tënde aktuale? Kujto se Pali i shkroi fjalët e Romakëve 12:12 për të krishterët, që brenda pak vitesh do të pësonin persekutim për shkak të cilit disa prej tyre do t’u jepeshin luanëve dhe të tjerët do të digjeshin të gjallë si pishtarë në kopshtin e Neronit.

Pra, shpresa për të cilën flet Pali nuk është një ndjenjë optimiste se gjërat do të përmirësohen. Apostulli nuk ishte naiv dhe nuk i përmbahej një pikëpamjeje evolucionare të natyrës njerëzore. “Por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq..” tha ai tek (2 Timoteu 3:13).

Shpresa për të cilën duhet të gëzohemi, është shpresa e lavdishme që është e jona në Krishtin. Kjo shpresë nuk gjendet në këtë botë, por në një botë të re ku Jezus Krishti do të na shpjerë kur të vijë përsëri.

Pali thotë se ne jemi “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.” (Titi 2:13-14).

Kur nuk mund të gjesh gëzim në atë që të rrethon, gjej gëzim në atë që të pret.

Natyrisht, pyetja është: Si mund ta bësh këtë?

  1. Rezistoji kënaqësisë së shpresave të rreme:

Të shpresosh për diçka që nuk ndodh kurrë, të bën të ndihesh i sëmurë (shih Fjalët e Urta 13:12). Prandaj, mos e vendos veten në atë pozicion. Mos e vendos veten për zhgënjim. Mendo, për shembull, për njëqind vitet e fundit të historisë botërore. Shekulli i nëntëmbëdhjetë përfundoi me një optimizëm të jashtëzakonshëm – njerëzimi po hynte në “një epokë të artë”.

Pastaj, katërmbëdhjetë vjet para shekullit të 20-të, ne patëm Luftën e Parë Botërore. Njerëzit thanë se do të jetë “lufta për t’i dhënë fund të gjitha luftërave”. Nëse thjesht mund ta kapërcejmë këtë problem, do të vijmë në një botë të re dhe të mrekullueshme. Por ishte vetëm një çështje kohe prej 20 vitesh të tjera, para se të vinte Lufta e Dytë Botërore dhe pas kësaj, ne duruam Luftën e Ftohtë edhe për 50 vjet të tjera.

Shekulli i 20-të dukej se po përfundonte me shpresë me shembjen e murit të Berlinit. Njerëzit filluan të flasin për “një rend të ri botëror”. Por vetëm pak vite më vonë, ne u zhytëm në një lloj lufte krejtësisht të re, “luftën kundër terrorit”.

Është në natyrën e shpirtit njerëzor të mendojë se ne mund ta shpengojmë botën, por një vështrim i shkurtër në historinë botërore na tregon se nuk e kemi pasur dhe nuk do ta kemi kurrë. Disa gjëra mund të përmirësohen, por të gjitha vizionet e një realiteti ideal janë të dënuara të dështojnë në këtë botë të rënë, qofshin ato marksiste, kapitaliste apo të shtetit Islamik. Ndalo së kënaquri me shpresat e rreme!

  1. Pranoje pasigurinë afatshkurtër:

Njerëzit me plane shpesh thonë me vetëbesim: “Ja çfarë dua të bëj: do të jetoj në këtë apo atë qytet. Unë do të shkoj në këtë universitet dhe do të ndjek atë karrierë. Ne do të martohemi dhe do të kemi fëmijë. Do të mbjellim një kishë. Do të ndryshojmë botën!”

Dëgjo atë që thotë Zoti në letrën e Jakobit: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrimë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë, ndërsa nuk dini për të nesërmen..” (Jakobi 4:13-14)

Është mirë të kesh plane, por mos harro, kur planifikon për të ardhmen, ti as nuk e di nëse do të jesh këtu nesër!

”…Sepse ç’është jeta? Është avull që duket për pak, dhe pastaj humbet.” (Jakobi 4:14). Gjithçka që shpresojmë të bëjmë në jetë varet nga hiri dhe forca e Perëndisë; prandaj njeriu i mençur thotë: ”Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë” (Jakobi 4:15).

Jeta e shkurtër që kemi në këtë botë është shumë e pasigurt. Zoti na thërret të udhëtojmë në një shteg gjarpërues. Askush prej nesh nuk mund të shohë se çfarë ka në kthesën e rradhës – mund të jetë një provë e madhe, ose mund të jetë një gëzim i madh. Ne ecim me anë të besimit, jo me anë të shikimit.

Askush prej nesh nuk e di me siguri se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër ose vitin e ardhshëm. Por edhe pse nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër, unë e di rezultatin përfundimtar të jetës sime.

  1. Shijo premtimin e sigurisë afatgjatë:

Në një botë plot pasiguri, ku mund të gjejmë siguri që zgjat? E gjejmë “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.” (Titi 2:13).

Në praninë e Jezusit, mëkati nuk do të jetë më. Nuk do të jetë ty dhe nuk do të jetë përreth teje. Nuk do ta hidhërosh më kurrë Shpëtimtarin tënd. Ti do të jesh një gëzim për Të dhe Ai do të jetë një gëzim për ty përgjithmonë.

Nuk do të jesh më kurrë i lodhur, i këputur apo i dekurajuar. Ti do t’i shërbesh Zotit siç ke dashur gjithmonë që të bësh. Ti do të eksplorosh gëzimet e tokës së re, të çliruar më në fund nga mallkimi – pa përmbytje apo zjarre të furishme, pa stuhi, tërmete apo rrëshqitje toke. Ti do të gëzosh bekimet e një bote të re, ku çdo person e do vërtet motrën dhe vëllanë e tij – pa dhunë, pa urrejtje, pa padrejtësi, pa frikë.

Ti do të gëzosh jetën e përjetshme në një trup të ringjallur (të krijuar sipas trupit të ringjallur të Jezusit), në të cilin reja e errët e depresionit nuk mund të hedhë kurrë hijen e saj mbi ty, tërheqja e fortë e tundimit nuk do të dalë kurrë nga brenda teje dhe ankthi i mprehtë i dhimbjes nuk do të të mundojë kurrë. Do të jesh në shtëpi dhe në paqe.

Gëzohu! Jezusi e ka mundur botën.

Ne nuk ndihemi gjithmonë si në shtëpi apo në paqe në këtë botë. Jeta në një botë të rënë është e vështirë dhe ndonjëherë ne rënkojmë përbrenda, ndërsa presim shpengimin e trupave tanë. Por është në këtë shpresë shpengimi që ne shpëtohemi (shih Romakëve 8:23-24). Gëzohemi me shpresën e qiellit, ku do të na fshihen të gjithë lotët nga sytë. Atëherë do ta shohim Mbretin në bukurinë e Tij. Sytë tanë do ta shohin Atë. Në mishin tonë do të shohim Perëndinë dhe do të kemi plot gëzim përgjithmonë. 

Prandaj, me çfarëdo që te jesh duke u përballur sot, gëzohu në shpresë.