Jakobi na thotë se “një njeri me dy mendje, është i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.” (Jakobi 1:8). Ky është një përshkrim shumë i mirë i Judës. Ai ishte njeri me dy mendje dhe në fund e braktisi plotësisht besimin që dikur pohonte. Në vijim shohim katër gjëra, që zakonisht anashkalohen kur bëhet fjalë për Judën.
Angazhimin që Ai Bëri
Juda i kishte bërë një zotim Jezusit. Nuk kishte asnjë arsye për të menduar, se ai ishte asgjë tjetër veçse i sinqertë në besimin e tij. Ashtu si pjesa tjetër e dishepujve, ai kishte lënë gjithçka për ta ndjekur. Juda ishte përfshirë në mënyrë aktive në shërbesë. Atij i ishin dhënë dhurata të jashtëzakonshme shpirtërore.
Luka na tregon, “Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet. Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët.” (Luka 9:1-2).
Juda ishte një predikues i ungjillit! Atij i ishte dhënë një dhuratë e veçantë shërimi. Ai kishte ushtruar autoritet mbi demonët. Përfshirja aktive në shërbesë është një gjë e mirë dhe e mrekullueshme, por nuk është, në vetvete, një shenjë e jetës shpirtërore apo e shëndetit shpirtëror.
Mundësinë Që Iu Dha
Juda eci me Jezusin për tre vjet. Ai pa jetën më madhështore që është jetuar ndonjëherë nga afër dhe në mënyrë personale. Nuk mund të kesh një model më të mirë besimi se Jezusi ose një mjedis më të mirë për të formuar besimin, sesa kishte Juda në ecjen bashkë me Jezusin.
Ai ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i mrekullive. Kur Jezusi ushqeu 5000 njerëz, Juda ishte aty. Ai mori bukën dhe e shpërndau bashkë me dishepujt e tjerë. Kur Jezusi qetësoi stuhinë, Juda ishte aty.
Dhe ai ishte atje kur Jezusi e ringjalli Llazarin nga të vdekurit. Nuk mund të kesh prova më të mira për besimin sesa kishte Juda. Juda dëgjoi të gjitha mësimet e Jezusit. Ai e dëgjoi Predikimin në Mal, kështu që e dinte se ka një rrugë të ngushtë që të çon në jetë dhe një rrugë të gjerë që të çon në shkatërrim.
Ai dëgjoi paralajmërimet që Jezusi u tha farisenjve, kështu që ai e dinte se ka një ferr për të shmangur dhe një parajsë për të fituar. Ai dëgjoi shëmbëlltyrën e djalit plangprishës dhe e dinte se Krishti ishte gati të mirëpriste dhe të falte ata që kishin humbur veten në shumë mëkate. Ky njeri dëgjoi me veshët e tij mësimet më të mira. Ai pa provat më të qarta me sytë e tij. Ai kishte shembullin më të mirë në jetën e tij. E megjithatë ky njeri e tradhtoi Jezusin.
Sa i thellë është problemi i zemrës së njeriut! “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9). A e kupton zemrën tënde?
A mund ta kuptosh se si një i ri, i cili është rritur nga prindër të perëndishëm në kontekstin e një kishe të shëndetshme, që mëson të vërtetat e Shkrimit që në moshë të re, mund të përfundojë duke braktisur besimin që dikur pohonte?
Këtu ka një të vërtetë të rëndësishme për prindërit, udhëheqësit dhe miqtë që hidhërohen për dikë që e duan, i cili ka braktisur besimin që dikur shpallte. Ti mund të thuash, “Ku gabuam? Çfarë mund të kishim bërë më shumë? A dështuam në mësimdhënien tonë? A dështuam në shembullin tonë? A duhet ta kishim futur djalin, vajzën ose shokun tonë në një mjedis tjetër? Ndoshta kjo do të kishte bërë një ndryshim.”
Kjo histori po na tregon se edhe mësimi më i mirë, shembulli më i mirë dhe provat më bindëse – mjedisi përfundimtar për të ushqyer besimin – nuk mund ta ndryshojnë, në vetvete, zemrën njerëzore.
Zgjedhjen që Ai Bëri
Satani bëri një sulm të pamëshirshëm mbi shpirtin e Judës, pasi ai bën një sulm të pamëshirshëm ndaj kujtdo që zgjedh të ndjekë Krishtin. Nuk ka asgjë unike për përvojën e Judës këtu.
- “Atëherë Satani hyri në Judën…Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte.” (Luka 22:3-4).
- “Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte” (Gjoni 13:2).
- “Satani hyri në të” (Gjoni 13:27).
Deklaratat e qarta të Biblës për veprimtarinë e Satanit kanë bërë që shumë njerëz të thonë:
“Juda i gjorë, ai nuk kishte asnjë shans. Satani hyri në të. Çfarë mund të bënte ai në këtë rast?” Por ky vlerësim anashkalon faktin që Juda ia hapi derën e jetës së tij Satanit. Juda kishte vjedhur nga ofertat. Dhe kur e mbajti të fshehtë këtë mëkat, Satani hyri në të.
Ai bëri një marrëveshje me krerët e priftërinjve dhe më pas u ul në tryezën e Zotit tonë me një mëkat të njohur që nuk do ta rrëfente, dhe Satani hyri edhe më tej në jetën e tij. Mëkati i parrëfyer gjithmonë hap derën e fuqisë së Satanit.
Satani nuk fiton një terren në jetën e njerëzve, që po ecin në dritë me Jezusin. Ai ka akses vetëm kur e hapim derën. Klaus Schilder thotë, “Është madhështia e veçantë e Jezusit që Ai mund ta pushtojë njeriun pa iu afruar më parë njeriu Atij. Por dobësia e Satanit vërtetohet nga kjo, se ai nuk mund t’i afrohet një shpirti nëse ai shpirt nuk është kthyer më parë tek ai”. (Krishti në Vuajtjet e Tij, 185).
Ndonjëherë në kishë, ne e kuptojmë këtë anasjelltas. Ne kemi frikë se Satani do të ketë disi qasje të fshehtë tek ne, por Jezusi, ai nuk mund të bëjë asgjë nëse nuk ia kërkojmë. Jo, Bibla na mëson pikërisht të kundërtën.
Rezultatin që Ai Përqafoi
Juda doli në errësirën që kishte zgjedhur, “ishte natë” (Gjoni 13:30). Kur i afrohesh Jezusit, do të ndodhë një nga dy gjërat: Ose do të bëhesh tërësisht i tij, ose do të përfundosh më i larguar nga ai dhe më armiqësor ndaj tij sesa nëse nuk do ta kishe njohur fare.
Ndër ata që e urrejnë më shumë Krishtin, nuk janë të paktë ata që dikur deklaruan se i besonin atij. Deklaratat e Krishtit janë kaq ekskluzive dhe kërkesat e tij kaq të thella, saqë, në fund, ose duhet t’i dorëzohesh plotësisht atij ose të heqësh dorë krejtësisht prej tij. Nuk ka rrugë të mesme. Vetëm ata që nuk e kanë njohur kurrë mund të qëndrojnë indiferentë ndaj tij.
Për ata që afrohen, të vetmet rezultate janë përkushtimi i plotë ose armiqësi përfundimtare dhe çdo ditë, secili prej nesh po shkon në një drejtim ose në tjetrin.
Vlen Çdo Çmim
Në një ditë kur shumë njerëz po braktisin besimin që dikur kanë pohuar, historia e Judës na paralajmëron të ruajmë zemrat tona, që të mos largohemi. Historia e Judës gjithashtu na pajis që të afrohemi me të tjerët, që mund të jenë afër largimit nga besimi. Krishti bën këtë thirrje:
“Dhe kini dhembshuri për disa duke përdorur dallim, por shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit, dhe duke urryer edhe rroben e ndotur nga mishi.” (Juda 22-23).
Së fundi, historia e Judës na kujton se asgjë e mirë nuk mund të vijë kur heqim dorë nga Jezus Krishti. Ai ka vlerën më të lartë, dhe ndjekja e tij vlen çdo çmim.