Një kuptim i duhur i Dhjetë Urdhërimeve, do të të çojë drejt besimit tek Jezus Krishti. Nëse e shikon veten me ndershmëri nën dritën e këtyre urdhërimeve, nuk do të vonojë shumë përpara se të arrish në përfundimin se je shumë larg nga jeta që Perëndia të ka thirrur të drejtosh dhe se ke nevojë për një Shpëtimtar.
Ligji do të të çojë tek Krishti duke të treguar, se ke nevojë për faljen e Tij për shkeljen e ligjit të Tij në të kaluarën, dhe forcën e Tij për të përmbushur ligjin në të ardhmen. Dhjetë Urdhërimet janë një këshillues që të udhëheq drejt besimit në Krisht. Një këshillues është dikush që mund të të tregojë se ku duhet të shkosh dhe i cili ecën me ty derisa të arrish atje. Për ta kuptuar siç duhet, kjo është pikërisht ajo që do të bëjnë urdhërimet.
Një Kuptim i Saktë
Unë them ‘të kuptojmë saktë ose siç duhet’, sepse është e mundur të shikojmë Dhjetë Urdhërimet në një nivel sipërfaqësor dhe të arrijmë në përfundimin se po ecim mjaft mirë. Një avokat i shkëlqyer dhe i suksesshëm e pyeti Jezusin: “Çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?”
Zoti ynë u përgjigj,
…Ti i njeh urdhërimet: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde”. (Marku 10:19).
Atëherë avokati i tha Jezusit: ‘‘Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time”. (Marku 10:20). Dyshoj se avokati e besonte vërtet këtë. Burri kishte bërë një jetë të mirë morale. Ai nuk kishte vrarë askënd. Ai kishte qenë besnik ndaj gruas së tij. Ai ishte i përkushtuar të thoshte të vërtetën. Ai kurrë nuk grabiti një bankë. Ai ishte një qytetar i mirë dhe i drejtë, i cili bënte gjënë e duhur dhe paguante taksat. Avokati donte të ishte i sigurt për qiellin dhe, duke supozuar se i kishte përmbushur urdhërimet, pyeti veten nëse kishte ndonjë gjë tjetër që duhej të bënte. Por problemi i avokatit ishte se ai nuk e kuptonte ligjin!
Një Çështje e Zemrës
Jezusi e bëri të qartë në Predikimin në Mal, se shtrirja e urdhërimeve shkojnë përtej veprimeve tona dhe kërkojnë mendimet dhe synimet e zemrave tona. Çdo urdhërim identifikon një mëkat të veçantë, por pas atij mëkati qëndrojnë shumë të tjerë.
Merr për shembull urdhërimin e gjashtë: “Nuk do të vrasësh.” (Eksodi 20:13). Imagjino një tren që lëviz përgjatë një binari në të cilin ka shumë stacione. Vrasja është stacioni në fund të një linje të quajtur ‘Konflikt’. Shumica e njerëzve nuk do t’i afrohen kurrë atij stacioni, por të gjithë ne kemi udhëtuar diku në këtë linjë.
Jezusi tha,
“Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: “Mos vrisni”; dhe: “Kushdo që vret do t’i nënshtrohet gjyqit”; por unë po ju them: “Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t’i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: “Rraka”, do t’i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t’i thotë: “Budalla”, do t’i nënshtrohet zjarrit të Gehenës.” (Mateu 5:21-22)
E folura në mënyrë fyese është një shkelje ndaj urdhërimit të gjashtë, për të cilin një person është përgjegjës para Zotit. Problemi që krijon nuk është vetëm se një person mund të raportohet në Sinedrin, por se shkelja në të folur e urdhërimit të gjashtë, do ta vinte një person në rrezik ndaj zjarrit të ferrit.
Kjo duhet të tërheqë vëmendjen tonë. Nëse urdhërimi i gjashtë do të kishte lidhje vetëm me vrasjen, shumica prej nesh nuk do kishte nevojë të shqetësohej. Por nëse fjalët e zemëruara që i ulin vlerën një personi tjetër, përbëjnë një shkelje të urdhërimit të gjashtë, ne kemi të bëjmë me diçka shumë më afër çështjes.
Mësimi i Jezusit na jep një kuptim të duhur të ligjit. Na largon nga arroganca e avokatit që tha “të gjitha këto i kam ruajtur që në rini”, dhe na shpie tek përulësia që thotë “Unë jam një mëkatar që kam nevojë për një Shpëtimtar!”
Ose merr urdhërimin e tetë: “Nuk do të vjedhësh.” (Eksodi 20:15). Dhe përsëri, imagjino një tren që lëviz përgjatë një drejtimi, këtë herë të quajtur “Pandershmëri”. Në stacionin e fundit të këtij drejtimi, ka njerëz që hyjnë në shtëpitë e njerëzve të tjerë, grabisin bankat dhe kryejnë thyerje të ligjit. Shumica e njerëzve nuk do ta vizitojnë kurrë atë stacion, por të gjithë ne kemi udhëtuar diku në të njëjtin drejtim.
Vjedhja mund të përkufizohet si dëshira për të marrë sa më shumë që mundesh, ndërsa jep sa më pak që mundesh. Ka të bëjë me të qenit marrës pa qenë dhënës. Sipas këtij përkufizimi ka shumë vjedhje në martesa, në familje dhe në kisha. Çdo përpjekje për të pasur sa më shumë dhe për të dhënë sa më pak, është një shkelje e urdhërimit të tetë.
Ose merr urdhërimin e nëntë: “Nuk do të bësh dëshmi të rreme…” (Eksodi 20:16). Do të ishte e lehtë të thuash: “Unë kurrë nuk kam bërë dëshmi të rreme në gjykatë”, kështu që jam në rregull për sa i përket urdhërimit të nëntë! Por kjo do të thotë të humbasë kuptimin që secili prej urdhërimeve lidhet jo vetëm me një mëkat, por me një kategori të tërë mëkatesh.
Katekizmi Westminster përshkruan atë që përfshihet në urdhërimin e nëntë me detaje mahnitëse:
“Të gjitha paragjykimet e së vërtetës dhe emrit të mirë të fqinjëve tanë, si dhe ato tonat, duke dhënë dëshmi të rreme, duke e quajtur të keqen të mirë dhe të mirën të keqe, duke falsifikuar, fshehur të vërtetën, duke pasur heshtje të panevojshme për një kauzë të drejtë, duke shpifur, përgojuar, përbuzur, pëshpëritur, tallur, sharë, duke bërë kritika të nxituara ose të ashpra, duke keq-interpretuar qëllimet, fjalët dhe veprimet; duke bërë lajka, mburrur, duke menduar ose folur me mendjemadhësi ose keq për veten ose të tjerët, duke mohuar dhuntitë dhe hirin e Zotit, duke përkeqësuar gabimet e vogla, duke bërë thashetheme të rreme, duke marrë dhe toleruar lajmet e këqija…”
Dhjetë Urdhërimet kërkojnë mendimet dhe synimet e zemrës. Çdo urdhërim flet për një kategori të tërë mëkatesh dhe një kuptim i duhur i ligjit do të të shtyjë të thuash: “Unë jam një mëkatar që ka nevojë për një Shpëtimtar”.
Lëre ligjin të të tregojë nevojën tënde dhe të të drejtojë tek besimi në Zotin Jezus Krisht.