Çfarë Ndodh Kur Një i Krishterë Vdes?

“Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.” (2 Korintasve 5:1). Një i krishterë është një person që zotëron dy shtëpi. Shtëpia ku po jeton tani është një shtëpi e përkohshme, një “çadër”. Por ti ke një shtëpi tjetër që është më e qëndrueshme, më thelbësore. Data e lëvizjes tënde në shtëpinë tënde të re, nuk është dhënë ende, por kjo tashmë është e njohur për Zotin.]

Ti ke një shtëpi të qëndrueshme.

Çfarë është saktësisht kjo shtëpi e re? Asnjë autor që kam lexuar, nuk merret më mirë me këtë pyetje se Charles Hodge, mësuesi i madh i një shekulli më të hershëm, nga Princeton. Në komentarin e tij mbi 2 Korintasve1, Hodge pyet: “Cila është ndërtesa në të cilën shpirti hyn kur trupi aktual nuk jeton më?” Ai rendit tre mundësi:

  • Vetë parajsa
  • Trupi i ringjalljes
  • Një lloj trupi i përkohshëm, i ndërmjetëm

Hodge hedh shpejt poshtë opsionin numër 3; ideja e një trupi të përkohshëm nuk mësohet askund në Shkrim. Përveç kësaj, Pali thotë se “shtëpia” e re është e përjetshme (2 Kor. 5:1), kështu që vështirë se mund të jetë e përkohshme.

Në lidhje me numrin 2, Hodge thekson se një trup i ringjalljes është dhurata e Perëndisë për të gjithë besimtarët kur Krishti të kthehet në lavdi. Të krishterët që vdesin ende duhet ta presin atë dhuratë, edhe pse janë tashmë në praninë e Zotit. Asnjë i krishterë nuk ka trupin e ringjalljes në këtë kohë. Pali nuk e ka, as Pjetri, as Gjoni. I vetmi që ka trupin e ringjalljes tani, është Jezus Krishti.

2 Korintasve 5:8 na thotë, se i krishteri që ka vdekur tani është “në shtëpi”. Pali shkruan, “ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin!” 

Pra, jam i bindur, me Hodge dhe shumë të tjerë, se shtëpia e përmendur këtu është vetë parajsa. Jezusi tha, “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa;…Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.” (Gjoni 14:2). Dhe Abrahami, i cili jetonte në çadra po “priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.” (Hebrenjve 11:10).

I krishteri është një person me dy shtëpi. Kontrasti mes tyre vështirë se mund të ishte më i madh. Shtëpia e parë për shpirtin tënd është trupi yt, i cili është si një çadër – një strukturë e brishtë që do të shkatërrohet. Kur kjo shtëpi të rrënohet, ti do të zhvendosesh në shtëpinë tënde tjetër, që është parajsa – një ndërtesë e qëndrueshme për të jetuar përgjithmonë.

Parajsa është shtëpia e përjetshme në të cilën shpirti yt do të hyjë, kur shtëpia e tij aktuale të shkatërrohet. Në çadrën tokësore ka rënkime, por në “shtëpinë e pabërë me dorë” ajo që është e vdekshme përpihet nga jeta (2 Kor. 5:4)! Por çfarë ndodh në të vërtetë menjëherë pasi një i krishterë mbyll sytë në vdekje?

Shpirti yt është i ndarë nga trupi yt.

Vdekja quhet armik, armiku i fundit. Vdekja është zhbërja e natyrës sonë, copëtimi i asaj që Zoti ka bashkuar. Zoti krijoi jetën tënde duke bashkuar trupin dhe shpirtin tënd së bashku. Kjo ndërlidhje është aq komplekse, saqë vështirë se mund ta imagjinojmë jetën pa trupin. Mundohu të imagjinosh të fikësh të gjitha funksionet e trupit, një nga një: nuk do mund të shohësh më, të dëgjosh, të flasësh, të hash, të ecësh apo lëvizësh.

Si përfundim, do të jesh i vetëdijshëm, por i paaftë për të funksionuar. Prandaj Pali thotë,“Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshiruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore, nëse do të gjendemi të veshur e jo të zhveshur.” (2 Korintasve 5:2-3). 

Askush në mendjen e tij, nuk dëshiron që shpirti i tij të ndahet nga trupi i tij. Nëse e vetmja gjë për të thënë për vdekjen, do të ishte ky dëbim i shpirtit nga trupi, do të ishte vërtet e tmerrshme. Kush dëshiron të jetë një fantazmë që dridhet, i humbur në hapësirë pa shtëpi? Askush nuk e dëshiron këtë. Faleminderit Zotit, që nuk ndodh kështu.

Shpirti yt zhvendoset në shtëpinë e tij të re.

Kur Zoti ta rrëzojë çadrën tënde, shpirti yt nuk do të humbasë në hapësirë pa një vend pushimi. Në momentin që të del nga çadra, shpirti yt do të jetë në shtëpi në ndërtesë. Të mungosh nga trupi do të thotë të jesh në shtëpi me Zotin.

Unë dhe gruaja ime, Karen, kemi lëvizur vetëm një herë në të gjithë jetën tonë martesore. Ne u shpërngulëm nga një shtëpi në pronësi të kishës që shërbenim në Londër, në një shtëpi që blemë kur erdhëm në Shtetet e Bashkuara. Ai udhëtim prej katërmijë miljesh mori pak kohë.

Por në momentin që do dalësh nga çadra, do të arrish në ndërtesë – në mënyrë të menjëhershme! Larg trupit – në shtëpi me Zotin (2 Kor. 5:8). Ti nuk do të jesh atje jashtë dhe i pastrehë. Për të krishterin, vdekja është një transferim i menjëhershëm në praninë e Zotit. Ti shkëmben çadrën me ndërtesën, tokën me qiellin. Shkëmben të përkohshmen me të përjetshmen, dhimbjen me gëzimin e lavdisë.

Ti je i përgatitur për këtë!

Ai që na ka formuar pikërisht për këtë është Perëndia (2 Korintasve 5:5).

Si të ka përgatitur Perëndia që të lëvizësh nga çadra në ndërtesë? Ai dërgoi Birin e Tij në botë, për të përgatitur një vend në parajsë për ty. Ai dërgoi Shpirtin e Tij në zemrën tënde, për të të përgatitur për vendin tënd atje. Zoti na ka dhënë Frymën e Tij si një garanci.

Dhiata e Vjetër përshkruan tabernakullin, i cili ishte një çadër. Na tregon se reja e pranisë së Perëndisë hyri në çadër. Tani Pali thotë se trupi yt është një “çadër” dhe Fryma e Shenjtë e Perëndisë zbret për të banuar në këtë çadër me ty. Trupi yt është një tempull i Frymës së Shenjtë. Krishti jeton në ty. Ai është me ty në çadër! Zoti e bën shtëpinë e tij me ty në çadër, deri në ditën kur do ta bësh banesën tënde me të në shtëpinë e përjetshme në qiej.

Kjo zbulesë për jetën e të krishterit në qiell, është një dhuratë e mrekullueshme! Perëndia nuk kishte nevojë të na tregonte asgjë për jetën përtej çadrës. Ai mund të kishte thënë: “Më beso dhe prit dhe shiko”. Por Zoti nuk e bëri këtë.

Zoti e ka hapur perden që besimtarët të mund të thonë: “Ne e dimë se nëse çadra që është shtëpia jonë tokësore shkatërrohet, ne kemi një ndërtesë nga Zoti, një shtëpi të pabërë me duar, të përjetshme në qiej.” Dhe kur e gjen veten duke rënkuar në tendë, kjo njohuri do të të mbajë të mos dëshpërohesh.