Kur Shërbesa Nuk i Plotëson Pritshmëritë e Tua

Nëse je mbjellës, kjo është për ty.

Kjo është për këdo që dëshiron të mbjellë Fjalën e Perëndisë në jetën e të rinjve, miqve, familjes, fëmijëve, nipërve, të paarriturve, të varfërve, të pasurve dhe çdo kategorie tjetër që mund të shtosh në listë.

Jezusi tha, “Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.” (Gjoni 15:8). Si është e mundur të japësh fryt që vërteton se je dishepull? Si mund ta mbash shërbimin gjatë gjithë jetës?

Katër përgjigje ndaj Fjalës së Perëndisë

Një mbjellës doli për të mbjellë. (Mateu 13:3).

Shëmbëlltyra e Mbjellësit ka të bëjë me atë që ndodh kur mbillet Fjala e Perëndisë. Krishti po na thotë se çfarë të presim kur përfshihemi në shërbesën e Fjalës. Ai po na thotë se nuk duhet të habitemi apo të dekurajohemi, kur njerëzit i përgjigjen në mënyra të ndryshme Fjalës së Perëndisë.

Kjo çështje e pritshmërive është thelbësore për të mbajtur shërbimin gjatë gjithë jetës. Pavarësisht se ku e mbjell Fjalën e Perëndisë, do të zbulosh se jo të gjithë janë njësoj të përgjegjshëm. Do të ketë efekte të ndryshme në jetën e njerëzve të ndryshëm.

Nuk reagon

Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës. (Mateu 13:19).

Disa njerëz që e dëgjojnë Fjalën nuk do të përgjigjen. Nëse je një mbjellës, e di se sa e vështirë dhe dekurajuese mund të jetë kjo. Ti po përpiqesh të mësosh Fjalën e Perëndisë.

Ti e zbërthen për ta bërë sa më të thjeshtë që të jetë e mundur, por djali ose vajza jote, ose një anëtar i grupit tënd të vogël thjesht nuk e kupton. Asgjë rreth Fjalës nuk i intereson atyre. Ai e dëgjon atë duke ju hapur goja. Ajo nuk e sheh se si lidhet ajo që po thua me jetën e saj.

Kur kjo të ndodhë, ti duhet të mbash mend se kjo ndodhi edhe për Jezusin. Ky është i gjithë thelbi i shëmbëlltyrës. Jezusi po na thotë të mos habitemi ose të dekurajohemi pa arsye, kur njerëzit që i duam dhe për të cilët lutemi e dëgjojnë Fjalën, por në të vërtetë nuk kanë asnjë interes për të apo për ta kuptuar atë. Nuk mund të jesh mësues më i mirë se Jezusi. Askush nuk ka mësuar ndonjëherë më thjesht, më qartë ose në një mënyrë që të jetë më bindëse.

Shiko mësimin e Tij mjeshtëror tek Gjoni 10, ku Ai pikturon figurën e bariut dhe të deleve:

“Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.” Gjoni na tregon se, “ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.” (Gjoni 10:6).

Entuziastë

Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim; por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë. (Mateu 13:20-21).

 

Këtu është një person që e dëgjon Fjalën dhe e merr atë. Më shumë se kaq, ky person e pranon Fjalën me gëzim! Dhe vëre faktin që ky person jep një përgjigje të shpejtë. Ai e pranon “menjëherë” me gëzim. Por kjo marrje e gëzueshme e Fjalës nuk zgjat. Vijnë telashet dhe personi që dikur e kishte rrëfyer besimin në mënyrë kaq të shkëlqyer, largohet. Kjo përgjigje e dytë është ndoshta më dekurajuesja nga të gjitha për mbjellësin e Fjalës.

Dwight L. Moody ishte një ungjilltar jashtëzakonisht i mençur. 

Ai e kuptoi se ftesat për t’u përgjigjur në mbledhjet e tij shpesh tërheqin njerëz që “e marrin fjalën menjëherë me gëzim”, por që nuk kanë rrënjë në to. Kjo është ajo që ai u tha këshilltarëve të tij që u takuan me njerëzit kur ata dolën përpara:

“Kërko vendime të menjëhershme, por kurrë mos i trego një burri se është kthyer në një besim të ri. Asnjëherë mos i thuaj se është i shpëtuar. Le të jetë Fryma e Shenjtë që t’ia zbulojë këtë gjë atij. Ti nuk mund të shohësh kur një njeri merr jetën e përjetshme. Ti nuk mund t’i lejosh vetes të mashtrosh askënd për këtë pyetje të madhe.”

Edhe Jezusi gjithashtu nuk pohoi çdo shfaqje besimi. Kur bëri mrekullinë e tij të parë në Kanë duke e kthyer ujin në verë, shumë “besuan në emrin e tij “ “por Jezusi nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë“,… “sepse ai e dinte ç’kishte përbrenda njeriut” (Gjoni 2:23-25). 

Ne nuk mund ta shohim zemrën si Jezusi. Ne nuk mund të themi me bindje, se kush është kthyer në besim me të vërtetë dhe kush është thjesht duke shfaqur një entuziazëm kalimtar.

I hutuar

Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme. (Mateu 13:22).

Këtu është një person që dëgjon dhe pranon Fjalën. Fara futet në tokë dhe fillon të rritet. Ne e dimë këtë sepse Zoti ynë thotë: “ferrat u rritën” (13:7). Ferrat nuk dukeshin në kohën kur u mboll fara. Nën tokë kishte rrënjë të mëdha nga shkurre të vjetra ferrash, që nuk ishin shkulur kurrë nga toka. Ato thjesht ishin të mbuluara. Kështu, kur fara filloi të rritej, ferrat u rritën mbi të dhe e mbytën. Jezusi nuk thotë se ky person “largohet.” 

Përkundrazi, personi i shpërqendruar mbetet në kishë dhe do të thoshte se është i krishterë. Por ai është i pafrytshëm. Toka e jetës së tij është aq shumë e mbushur me njerëz, saqë besimi i tij është shterpë. Nuk jep fryte.

Sundimtari i ri i pasur është një shembull i përsosur për këtë në shërbesën e Jezusit. Ai thotë, “Unë dua gjithçka në këtë jetë, dhe dua edhe parajsën.” Dhe kur largohet, ai është i pikëlluar, sepse rrënjët e jetës së tij janë të përbëra nga ferrat.

Perceptues

Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish. (Mateu 13:23).

Këtu janë njerëzit që e dëgjojnë Fjalën dhe e kuptojnë atë. Dhe jep fryte në ta! Të korrat që sjell Fjala në jetën e këtyre njerëzve është e bollshme—“Në një rast njëqindfish, në një tjetër gjashtëdhjetë dhe në një tjetër tridhjetë”. Fjala e Perëndisë do të jetë më frytdhënëse, tek disa besimtarë të vërtetë, sesa tek disa besimtarë të tjerë të vërtetë.

Shkalla e frytshmërisë do të ndryshojë midis besimtarëve, por shenja dalluese e çdo besimtari të vërtetë, është se Fjala e Perëndisë jep fryte në jetën tënde. Fjala jep frytin e pendimit, besimit, shpresës, dashurisë, shërbimit, këmbënguljes, bindjes, përulësisë dhe një listë shumë të gjatë gjërash të tjera në Dhiatën e Re.

Inkurajim për Mbjellësit

Fara e gjallë e Fjalës së Perëndisë do të prodhojë një korrje të bollshme. Jepi vetes një shërbesë të Fjalës dhe do të shohësh fryte – por nuk do të jetë në një shkallë të barabartë në jetën e çdo personi. Nuk do ta shohësh menjëherë. Fara rritet me kalimin e kohës dhe rezultatet e para shpesh rezultojnë të jenë zhgënjyese. Do të ketë zhgënjime. Do të ketë pengesa. Por Fjala e Perëndisë, e mbjellë me besnikëri, do të sjellë një korrje jetësh të jetuara nën bekimin e sundimit të Perëndisë.

Qëndro në farën e duhur.

E vetmja farë që do të japë frytin e ndryshimit të ungjillit në jetën e njerëzve, është Fjala e Perëndisë (shih Luka 8:11). Fara të ndryshme do të prodhojnë një korrje të ndryshme. Fara të ndryshme mund t’i mbajë njerëzit së bashku, mund të krijojë një përvojë të dobishme në grup, por nuk do t’i sjellë njerëzit nën sundimin e Perëndisë. Vetëm fara e Fjalës së Perëndisë mund ta bëjë këtë.

Ushtro durim.

Zoti punon duke mbjellë fara jo duke hedhur bomba. Krishti po na thotë se puna e Perëndisë kryhet, jo nga shpërthimet që shkatërrojnë tokën, por nga mësimi besnik dhe i qetë i Fjalës së Perëndisë.

Kujdesu për veten.

Kur i dedikohesh shërbesës, do të të shkelin. Gjatë shërbesës, do të ndodhin disa përvoja të vështira dhe kur të ndodhin, kujdesu për zemrën tënde. Mos u bë një mbjellës, zemra e të cilit ngurtësohet.

Ndërsa i dedikohesh shërbesës, do të bëhet më e kushtueshme. Në jetën tënde do të shfaqen rrethana, që do ta bëjnë më të vështirë shërbesën tënde. Kur kjo të ndodhë, kujdesu për zemrën tënde! Mos u bëj një mbjellës që humb gëzimin.

Ndërsa i dedikohesh shërbesës, jeta jote do të bëhet më shumë e mbushur me njerëz. Ndërsa Zoti të jep përgjegjësi më të madhe, do ta kesh më të vështirë të menaxhosh jetën tënde. Kur kjo të ndodhë, kujdesu për zemrën tënde! Është kaq e lehtë të bëhesh si Marta, e cila shqetësohej për shumë gjëra. Mos u bëj një mbjellës, jeta e të cilit është aq shumë e mbushur me njerëz, sa të mos ketë më vend as për vetë Jezusin!

Parmenda është e fuqishme

Ndërsa i dedikohesh shërbesës, lëri rezultatet në duart e Perëndisë. Ai mund të ndryshojë zemrën më të vështirë. Do të ketë shumë raste kur do të pyesësh veten, se çfarë ka ardhur nga gjithë puna jote për të mbjellë farën në jetën e njerëzve të tjerë. Ti je lutur për ta. Ti i ke dashur ata. Por duket sikur fara e mirë ka rënë në tokë të fortë.

William Lane thekson se në kohën e Jezusit fshatarët punonin tokën me parmendë pas mbjelljes, jo më parë. Kur vjen parmenda, rruga e vështirë prishet, fara hidhet në tokë të hapur dhe gjithçka ndryshon! Ne i shërbejmë një Zoti, parmenda e të cilit mund të thyejë shkëmbinjtë më të mëdhenj dhe të çrrënjosë shkurret me ferra më të forta. Kur të vijë parmenda e Perëndisë, a nuk do të jesh i lumtur që e mbolle farën?