Një herë ishte një burrë që kreu dënimin në burg sepse ishte hajdut. Ky kishte qenë stili i tij i jetesës, por gjatë kohës që kaloi në burg, ai dëgjoi ungjillin dhe u kthye mrekullisht në besim. Kur erdhi koha e lirimit, ai e dinte se do të përballej me një luftë të madhe. Shumica e miqve të tij ishin kriminelë dhe ai e dinte se nuk do të ishte e lehtë të thyente modelet e stilit të tij të vjetër të jetës. Me këtë ankth në mendje, gjëja e parë që bëri kur doli nga burgu ishte të gjente një kishë ku mund të lutej.
Ndërsa shikonte në pjesën e përparme të kishës, ai pa fjalët e Dhjetë Urdhërimeve, të gdhendura në mur. Sytë i shkuan menjëherë tek fjalët e urdhërimit që dukej se e dënonte atë.“Nuk do të vjedhësh.” (Eksodi 20:15).
“Kjo është gjëja e fundit që më duhet.” mendoi ai me vete. “E di dobësinë time. E di dështimin tim dhe e di intensitetin e betejës që do të kem me këtë tundim.” Burri vazhdoi të shikonte fjalët në mur. Ndërsa i lexonte ato vazhdimisht, dukej se Perëndia po i thoshte këto fjalë në zemrën e tij me një kuptim të ri që ai nuk e kishte kuptuar kurrë më parë. Më parë, ai i kishte dëgjuar gjithmonë këto fjalë me tonin e një urdhri dënues: “Nuk duhet të vjedhësh!”
Por tani, dukej se Perëndia po i thoshte të njëjtat fjalë si një premtim i mrekullueshëm: “Ti nuk do të vjedhësh më!” Nuk do të vjedhësh, sepse unë kam vënë brenda teje Frymën time dhe do të bëj të ecësh në rrugët e mia (Ezekieli 36:27). Ajo që dikur ishte vetëm një urdhër dënimi, tani dukej si një premtim i mrekullueshëm i mundësive të reja që ishin hapur nga Jezus Krishti nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Një jetë e re është e mundur për ty nëpërmjet Jezus Krishtit dhe me fuqinë e Frymës së Tij. Kur afrohesh në besim tek Jezusi, Perëndia të jep Frymën e Tij të Shenjtë për të të fuqizuar për jetën në të cilën Ai të thërret.
Perëndia dërgoi Birin e Tij, “që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.” (Romakëve 8:4) Jezusi e përmbushi ligjin për ne. Por këtu Shkrimi na thotë se qëllimi i Perëndisë, është që ligji të mund të përmbushet në ne.
Si të bën të ndihesh kjo? Nëse je si unë, do të ndihesh se ke një rrugë të gjatë për të bërë. Por kam gjetur inkurajim të madh nga Katekizmi i Heidelbergut, një dokument i shekullit të gjashtëmbëdhjetë që parashtron besimin e krishterë në një format pyetje-përgjigje.
Katekizmi i Heidelbergut është i ndarë në tre tituj: mjerimi, çlirimi dhe mirënjohja. Mjerimi merret me gjendjen tonë të rënies në mëkat. Çlirimi merret me atë që Jezusi ka bërë për ne. Mirënjohja është një përshkrim i gjithë jetës së krishterë. Në mënyrë domethënëse, këtu katekizmi i Heidelbergut trajton 10 Urdhërimet.
Urdhërimet përshkruajnë jetën për të cilën jemi shpenguar. Pra, për të krishterët, ata nuk i përkasin mjerimit, por mirënjohjes.
Pyetja 114 e katekizmit pyet: A mund t’u binden në mënyrë të përsosur këtyre urdhrave ata që janë kthyer në Perëndi?
Përgjigjia: Jo.
Ti mund të thuash, ‘Mendova se kjo duhej të ishte inkurajuese!’ Por ky nuk është fundi i përgjigjes: Në këtë jetë, edhe më të shenjtët kanë vetëm një fillim të vogël të kësaj bindjeje. Megjithatë… ata fillojnë të jetojnë sipas të gjitha, jo vetëm disa prej urdhërimeve të Perëndisë.
Asnjë i krishterë nuk është gjithçka që Perëndia e thërret atë të jetë. Personi më i shenjtë që njeh ka vetëm një fillim të vogël bindjeje. Por ka një fillim të shenjtërisë së vërtetë në çdo besimtar.
Çdo i krishterë ka këtë fillim: Një fillim për të dashur Perëndinë, një fillim për të dashur të afërmin tonë. Një fillim integriteti, një fillim i së vërtetës, një fillim adhurimi, një fillim pushimi. Asnjë i krishterë nuk është plotësisht i pastër, por ka një fillim pastërtie tek çdo besimtar. Asnjë i krishterë nuk është plotësisht i kënaqur, por ka një fillim kënaqësie tek çdo besimtar. Ajo që kemi tani është një fillim i së vërtetës, i paqes, i integritetit, i prehjes dhe i adhurimit.
Ky fillim është i vërtetë. Ne me të vërtetë fillojmë të jetojmë sipas të gjitha, jo vetëm disa prej urdhërimeve të Perëndisë. Çdo ditë sjell mundësi të reja që ky fillim i vogël të rritet. Dhe kur Zoti ynë të shfaqet, ajo që Ai ka filluar në ne do të jetë e plotë.