Po Bëhet Më e Mirë Apo Më e Keqe Bota?

“Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra? (Mateu 13:27).

Kjo është pyetja kryesore në shëmbëlltyrën e barërave të këqija (Mateu 13:24-30). Nëse Zoti është kaq i mirë dhe Krishti është kaq i fuqishëm, atëherë pse ka kaq shumë të liga në botë? Kjo është një pyetje e thellë dhe lind në çdo brez: Nga vjen e keqja? Pse vazhdon, madje edhe lulëzon? 

Ti shikon barërat e këqija në botë dhe pyet veten: Si mund të ketë një Zot që është i mirë, kur bota e tij është në një rrëmujë si kjo? A është vërtet Perëndia në kontroll? A mund të besoj me të vërtetë në një Zot sovran, në një botë si kjo?

Isaia thotë se Mesia që do të vijë, “do të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë” (Isaia 61:2). Në fillim të shërbesës së Tij, Jezusi u ngrit dhe e lexoi këtë, por ndaloi në gjysmë të vargut! Po ditën e hakmarrjes? Hiri vjen me Jezusin tani; gjykimi vjen me Jezusin më vonë. Çfarë do të ndodhë në mes së tanishmes deri në atë kohë?  

Edhe e Mira dhe e Keqja po Rriten

I lini të rriten bashkë deri në të korra. (Mateu 13:30).

Sipas Jezusit, e keqja do të rritet së bashku me të mirën, deri në kthimin e Tij. Ne kemi nevojë për këtë mençuri, për të kuptuar natyrën e kësaj bote dhe për të mbajtur një shërbesë gjatë gjithë jetës. 

Shekulli i 20-të filloi me një optimizëm të jashtëzakonshëm humanistik. Charles Darwin pushtoi imagjinatën e miliona njerëzve, me botimin e tij Origjina e Specieve dhe me idenë se raca njerëzore është duke evoluar, dhe po bëhemi gjithnjë e më të mirë, duke shkuar drejt një epoke të artë (shekulli i 20-të). Por brenda 14 viteve nga fillimi i shekullit, ndodhi Lufta e Parë Botërore dhe humbja e tmerrshme e jetëve në llogore.

Njerëzit thanë, kjo do të jetë “lufta për t’i dhënë fund të gjitha luftërave”. Por brenda 20 viteve, ajo filloi përsëri. Nuk ishim në gjysmë të rrugës të shekullit të ri të madh dhe përjetuam dy luftëra botërore që nuk ishin parë kurrë më parë. Krijimi i Kombeve të Bashkuara, do të thoshte se gjithçka do të ishte në rregull. Por me Luftën e Ftohtë dhe krizën e raketave Kubane, e gjithë bota ishte në prag të asgjësimit.  

Pastaj, ndërsa i afroheshim fundit të shekullit më të përgjakshëm në historinë njerëzore, dukej se kishte një shpresë të shndritshme: Muri i Berlinit u rrëzua. Do të kishte një “rend të ri botëror”. Do të kishte paqe dhe atë lloj bote që të gjithë mund të shijonim. 

Brenda pak vitesh që kaluan në shekullin e ri, titujt ishin plot me një lloj të ri lufte, “lufta kundër terrorit”. Shiko historinë botërore dhe do të shohësh se sa herë që e keqja shtypet, ajo ngrihet përsëri në një formë tjetër, më të keqe. Të vetmit njerëz që nuk duhet të habiten janë të krishterët! Bota nuk ndryshon kurrë. Është gjithmonë një fushë ku gruri rritet bashkë me barërat e këqija. Por do të ketë një korrje! Ia vlen të mbillet fara e mirë, sepse Zoti do ta bëjë të rritet, edhe në këtë botë të trazuar. 

A po bëhet më e mirë kjo botë apo po bëhet më e keqe? Po ndodhin të dyja! Kjo botë po bëhet më e mirë dhe po përkeqësohet në të njëjtën kohë! Fara e mirë po rritet dhe po prodhon një korrje të bollshme. Kokrra në një kërcell është shumë më tepër, se fara e vogël që është hedhur në tokë. Dhe barërat e këqija po rriten gjithashtu. Me çdo javë që kalon, ato janë më të mëdha dhe më të rrënjosura se më parë. 

Ronald Wallace thotë: “Jezus Krishti nuk na mësoi kurrë se lëvizja e historisë së tokës, do të merrte formën e një zhvillimi të ngadalshëm por të qëndrueshëm të së mirës në këtë tokë, e shoqëruar nga eliminimi gradual i së keqes. Ai mësoi më tepër se sa më shumë të zhvillohet e mira, aq më shumë e keqja mund të zhvillohet për t’u pjekur me të mirën. [1] 

Zoti do të Mbledhë të Korrat 

I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim” (Mateu 13:30).

Ne po jetojmë në ditën e hirit të Perëndisë. Ende nuk ka ardhur dita e gjykimit dhe deri në atë ditë mbretëria do të duket kështu: Gruri i mirë në një arë të mbushur me barëra të këqija. Është bërë diçka e njohur, veçanërisht mes të krishterëve më të rinj, të flitet si “të sjellësh mbretërinë”, ose si t’i rregullojmë gjërat në botë. Është e rëndësishme të kujtosh se “të sjellësh mbretërinë”, do të thotë të shkulësh barërat e këqija dhe të shkatërrosh strukturat e fuqisë së madhe të së keqes në këtë botë. Vepra e gjykimit i përket Krishtit. Nuk na e ka lënë ne ta bëjmë këtë gjë. Në vend të kësaj, Ai na thërret të jetojmë dhe të rritemi në këtë botë derisa Ai të vijë dhe të sjellë një gjykim të drejtë, në të cilin të gjithë do të merren parasysh para Tij. 

Do të vijë ajo ditë dhe kur të ndodhë, barërat e këqija do të mblidhen dhe do të lidhen së bashku në tufa. Matthew Henry thotë: “Mëkatarët e të njëjtit lloj do të mblidhen së bashku në ditën e madhe.” Do të ketë një tufë cinikësh, një tufë blasfemuesish, një tufë frikacakësh, një tufë gënjeshtarësh dhe një tufë hipokritësh. Por grurin Perëndia do ta mbledhë në hambarin e Tij.  

Çfarë Duhet të Bësh Ndërsa je Duke Pritur 

Çfarë duhet të bëjmë ne si besimtarë, ndërsa presim kthimin e Krishtit? Si mund të jetojmë me besnikëri dhe të rritemi në këtë botë? 

Qëndro i Përfshirë

Krishti parashikon që rrënjët e tua si besimtar do të ndërthuren me rrënjët e njerëzve, natyra e të cilëve është shumë e ndryshme nga e jotja. Kjo do të jetë e vërtetë në shkollë dhe në biznes. Do të zbulosh, edhe në familjen tënde, se ka marrëdhënie shumë të vështira, por rrënjët e tua janë të ndërthurura. Jezusi thotë: “Mos i shkul rrënjët. Lëri të dyja të rriten së bashku deri në korrje.” Kështu që, mos krijo një jetë të shkëputur nga bota. Nuk ka vende ideale në këtë botë. Kudo që Krishti mbjell popullin e Tij, Satani mbjell barërat e tij të këqija. Ku je mbjellë? Lulëzo aty ku je mbjellë! Agustini tha: “Ata që janë barëra të këqija sot, nesër mund të jenë grurë”. [2] 

Praktiko Tolerancën 

Fjala “tolerancë” ka ndryshuar kuptimin e saj në kulturën tonë. Më parë kishte kuptimin të tregoje durim dhe vetëpërmbajtje ndaj njerëzve me të cilët nuk je absolutisht dakort. Tani përdoret për të nënkuptuar pohimin e asaj që të tjerët pohojnë. Por nuk ka nevojë për tolerancë mes njerëzve që pohojnë të njëjtat bindje. Nëse je dakord, çfarë ka për të toleruar? Toleranca është një virtyt i mrekullueshëm i krishterë, që nevojitet aty ku ka mosmarrëveshje të thella. Do të thotë të tregosh durim dhe vetëpërmbajtje ndaj njerëzve, që e ke vërtet të vështirë të komunikosh dhe me të cilët nuk je absolutisht dakort.

Por, kjo nuk do të thotë pasivitet apo që të heqësh dorë nga shqetësimi për gjendjen shpirtërore të një personi tjetër. Jezusi e bën të qartë se, në këtë botë, gruri duhet të rritet së bashku me egjrat derisa të vijë Biri i Njeriut. 

Kujto Qëllimin Tonë 

Ki në mendje gjithmonë, misioni i kishës është mbjellja e farave dhe jo heqja e barërave të këqija. Ne kemi një sfidë mjaft të madhe në duart tona, duke u përpjekur të përballemi me mëkatin në zemrat, familjet dhe kishat tona. Nuk është në fuqinë tonë apo në thirrjen tonë ta ç’rrënjosim atë nga bota. Kjo është puna e Krishtit dhe Ai do ta bëjë këtë kur të vijë. 

Zoti do të korrë grurin. Ai do ta sjellë popullin e Tij në shtëpi dhe të drejtët do të shkëlqejnë si dielli. Me kë do të jesh atë ditë? Qofsh në tufën e jetës me njerëzit e Perëndisë, që ia dorëzojnë jetën e tyre Mbretit Jezus, dhe qëndrojnë përpara Atit në hirin që gjejnë tek ai. 

Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. (Mateu 13:43).

1. Ronald Wallace, “Shumë Gjëra në Shëmbëlltyra” (titulli origjinal: Many Things in Parables) (Wipf & Stock, 1997), 35.

2. Cited in J. C. Ryle, “Mendime Shpjeguese mbi Ungjijtë”, (titulli origjinal: Expository Thoughts on the Gospels) (Crossway, 1993), 147.

Ky artikull është përshtatur nga predikimi i Pastor Colin, “Kufizimet” (Limitations), nga seria e tij, Çështjet e një Shërbese: Si të Mbash një Shërbesë Gjatë Gjithë Jetës, (Ministry Matters: Sustaining a Lifetime of Service).