“Ashabi dërgoi të thërrasë Abdian, që ishte kryekujdestari i tij. (Abdia kishte frikë të madhe nga Zoti; kështu, kur Jezebeli shfaroste profetët e Zotit, Abdia mori njëqind profetë dhe fshehu pesëdhjetë prej tyre në një shpellë, duke i furnizuar me bukë dhe ujë).” (1 Mbretërve 18:3-4).
Perëndia e vendos popullin e tij në disa vende të habitshme. Dëshmia e Abdias, mund t’i inkurajojë të krishterët që janë thirrur t’i shërbejnë Perëndisë në vende të errëta për qëllimet e Tij.
I Thirrur në Vende të Pazakonta
Abdia është një njeri i perëndishëm dhe Zoti e ka vendosur në pallat, pranë Ashabit. Imagjino errësirën e këtij pallati me mbretin dhe mbretëreshën e tij të ligë.
Mbreti Ashab nuk pati frikë nga Zoti dhe nuk eci në rrugët e tij. Por Perëndia vendosi dikë pranë tij që e bëri këtë. Ndoshta e gjen veten me Abdia, i cili e donte Zotin, por jetoi dhe punoi në një vend që duhet ta ketë ndarë atë në dysh. Ndoshta po i shërben një kompanie ku shumë gjëra të bëjnë të ndihesh thellësisht i parehatshëm.
Ti i thua vetes: “Unë jam i krishterë. A duhet të jem këtu? Sa kohë mund të vazhdoj të punoj për këta njerëz?” Ndoshta po përballesh me presione intensive në karrierën tënde. Ti mendon: “A duhet ta bëj këtë?” “A është e mundur të jesh i krishterë dhe të ndjekësh një thirrje laike në këtë botë që është gjithnjë e më armiqësore ndaj besimit tonë? A mund të qëndroj apo duhet të shkoj?”
Pastaj mendon: “Ndoshta mund të gjej një punë në shërbesë. Ndoshta mund të bëhem pastor ose misionar ose të punoj për një organizatë të mirë të krishterë. Atëherë nuk do të më duhej të merresha me këto presione.” Sa më e errët të bëhet bota, aq më i madh është presioni mbi të krishterët për t’u larguar. Mos i’u shmang pozicioneve që kanë ndikim sepse ato janë të vështira. Zoti i thërret njerëzit e Tij të jenë dritë në vende shumë të errëta.
I Thirrur për Qëllime të Mahnitshme
I Mbretërve 18 na thotë se kishte të paktën njëqind burra që ishin thirrur për të predikuar Fjalën e Perëndisë, por ishte vetëm një njeri që qëndronte në të djathtë të Ashabit. Më e mira që mund të bëjë Abdia për Perëndinë, nuk është të braktisë punën e tij dhe të bëhet predikuesi i 101-të, por të ngulmojë në pozicionin e tij nën presion të lartë.
Abdia nuk mund t’i kishte fshehur profetët, po të mos kishte patur informacionin e mbledhur nga puna në pallat. Mendo për rrezikun që kishte kjo gjë! Jezebela po vriste profetët, ndërsa kryekujdestari i burrit të saj në pallatin mbretëror po i fshihte ata nëpër shpella.
Mendo për koston! Abdia furnizoi me ushqim njëqind misionarë nga xhepi i tij! Profeti Elia nuk mund të kishte bërë kurrë atë që bëri Abdia. Megjithëse të dy burrat janë vëllezër në besim, ata kanë thirrje shumë të ndryshme.
Elia punon nga “jashtë”—duke qëndruar veçmas dhe duke i folur popullit—dhe Perëndia i ka dhënë atij një platformë për ta bërë këtë (1 Mbretërve 18). Por Abdia ka një shërbim ndikimi nga “brenda”. Ai qëndron në pallat dhe duhet të jetë shumë i kujdesshëm për atë që thotë.
Gjithçka në jetën e tij ka të bëjë me të qëndruarit besnik në një situatë, që shpesh duhet të jetë ndjerë sikur po e ndante atë në dy pjesë. Më poshtë janë tre të vërteta që mund të mësojmë nga dëshmia e tij:
a. Prit të shqetësohesh:
Në çdo karrierë, do ta gjesh veten të përçarë, sepse je në botë, por nuk je i saj. Jezusi tha “Në botë do të keni mundime” (Gjoni 16:33). Kjo botë nuk është shtëpia jote, kështu që ti po shërben në një vend që nuk të përket, në një sistem që do të kalojë. Kjo gjithmonë do të shkaktojë tension. Kur ndjen presion për t’u larguar nga profesioni yt sepse është një vend i errët, të lutem kujto këtë—Perëndia thirri edhe Abdian dhe Elian. Ai e vendos dritën e tij në disa vende të errëta, sepse aty nevojitet më shumë.
Qëndrueshmëria e Abdias, është një mjet i madh për të ruajtur dëshminë e Perëndisë, dhe është një paralajmërim kundër largimit të krishterë nga bota.
b. Prit të keqkuptohesh:
Është magjepsëse për mua që disa shkrimtarë kanë një pikëpamje shumë negative për Abdian. F. B. Meyer, një shkrimtar i mrekullueshëm i krishterë nga i cili kam përfituar, e sheh Elian si hero, Ashabin si kriminel dhe Abdian si kompromentues—dhe çfarë dobie ka një kompromis?
Por Shkrimi na thotë se Abdia “kishte shumë frikë nga Zoti”, se ai ndërmori një rrezik të madh për të shpëtuar jetën e njëqind profetëve dhe se ai luajti një rol të rëndësishëm për të çuar Ashabin tek Elia (1 Mbretërve 18). Disa të krishterë janë të zemëruar me këdo që ka një pozitë të lartë, qoftë në biznes, politikë dhe, gjithnjë e më shumë, në kishë. Kur të krishterët e tjerë nuk e kuptojnë punën tënde, kujto se nuk je përgjegjës para tyre. Ti je përgjegjës para Zotit.
c. Ki besim tek Zoti që të kujdeset për ty:
Si mundi të mbijetonte Abdia në botën mbytëse shpirtërore të pallatit të Ashabit? Zoti mund të kujdeset për ty kudo që të ka vendosur. Spurgeon thotë: “Hiri mund të jetojë aty ku nuk do ta prisje kurrë që të mbijetonte për një orë.”
Kjo është e vërtetë në një universitet jo të krishterë dhe në botën e biznesit dhe politikës. Zoti e mbrojti shpirtin e këtij njeriu besnik, që shërbente në këtë vend të errët, që ishte pallati i Ashabit. Ai mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për ty.
I Thirrur për Mirësi
Elia ishte një person me dëshirë për të “ndryshuar botën”. Misioni i tij ishte t’i bënte thirrje të gjithë kombit për pendim. Strategjia e tij ishte një konfrontim i hapur në malin Karmel. Perëndia ishte në këtë dhe Perëndia e përdori atë në një mënyrë të jashtëzakonshme. Por Zoti ka më shumë se një lloj shërbëtori.
Ajo që është interesante, është se Elia e përfundoi jetën e tij në zhgënjim të madh që Perëndia nuk kishte bërë më shumë. Karmeli nuk çoi në rigjallërimin që dëshironte të shihte. Por po të lexosh në historinë e 1 Mbretërve do të zbulosh këtë:
Në fund Ashabi (i cili kishte sjellje edhe më të keqe se paraardhësit e tij) u pendua! Kjo është një nga surprizat më të mëdha në Bibël. Nuk na thuhet nëse Abdia jetoi për të parë pendimin e Ashabit. Por në fund, Elia përfundoi duke arritur më pak nga sa kishte shpresuar, dhe Abdia përfundoi duke arritur më shumë nga sa kishte pritur. Dale Ralph Davis ka këtë koment që flet për të gjithë ne që, si Elia, dëshirojmë të bëjmë diçka të madhe për Zotin:
Ti dëshiron të shohësh komunitetin të ndryshuar… Dëshiron të shohësh kishën të ndërtuar… Dëshiron të shohësh kombin të transformuar… Dëshiron të shohësh botën të arritur…Sa e dobishme është atëherë që Elia nuk është i vetmi shërbëtor besnik i Perëndisë. Besnikëria nuk është aq e mërzitshme sa të vijë vetëm në një lloj shije. Për më tepër, krenaria jote kërkon korrigjimin që mund të japë kjo histori: Ti nuk je thirrur për vepra të mëdha, por për vepra të mira, jo për një shërbesë të shkëlqyeshme, por për një shërbesë besnike, për të mos qenë një shërbëtor i vrullshëm, por vetëm për të qenë një shërbëtor i përkushtuar.