Kur ditët bëhen më të errëta, tundimi i madh për ne është të bëhemi të krishterë me gjysmë zemre, të ndjekim Krishtin në distancë. Gjërat po bëhen gjithnjë e më të vështira, kështu që ti tundohesh të mbash kokën ulur, të mbash besimin tënd privat dhe të mbash angazhimin tënd të ulët.
Është e vështirë të vraposh shpejt kur e ke erën kundër, në fytyrë. Është e vështirë të përparosh kur noton kundër rrymës. Kur e keqja është në rritje, është e lehtë të jesh i lodhur. Ti fillon të pyesësh veten: “Cili është qëllimi?” Është e lehtë të mendosh, se të jesh i gjithë-përfshirë dhe t’i dorëzohesh Jezus Krishtit thjesht nuk ia vlen. Mund të kujtosh ditë më të mira kur ndjeje zell për Zotin, por tani një lloj letargjie të ka rrëmbyer shpirtin dhe nuk ndihesh më si dikur.
Ti je i dekurajuar, i fikur. Çfarë do të bësh për këtë?
Romakëve 12:11 na jep këtë urdhër: “Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë.”
Të jesh “i përtuar në zell” do të thotë të jesh letargjik, me pak energji, i lodhur, i rraskapitur, i këputur dhe i plogësht. Zoti na urdhëron: “Mos ji i përtuar!”, të jesh “i zjarrtë në shpirt” është e kundërta. Fjala “i zjarrtë” ngre problemin e temperaturës shpirtërore; fjalë për fjalë do të thotë të jesh “në zierje”. Nxehtësia është e përfshirë këtu. Të jesh i zjarrtë do të thotë të jesh i pasionuar, i angazhuar, i përkushtuar, aktiv, energjik dhe i motivuar.
Mos ji i plogësht, por mbaje veten “në zierje”, duke i shërbyer Zotit. Nëse nuk aplikohet nxehtësia, prirja e natyrshme e gjërave është që ato të ftohen. Nëse vakti yt qëndron shumë gjatë mbi tavolinë, ti e vendos në mikrovalë sepse është ftohur. Por si mund ta aplikosh nxehtësinë në jetën tënde? Kur sheh se po ftohesh, duhet të marrësh përgjegjësinë për gjendjen tënde shpirtërore. Ti je në Krishtin dhe Fryma e Shenjtë jeton brenda teje. Kjo do të thotë që ti nuk je i pafuqishëm!
3 Të Vërteta Që Mund Të Përtërijnë Pasionin Tënd Shpirtëror
Ka disa të vërteta që, kur zbatohen siç duhet për gjendjen tënde, do të të zgjojnë shpirtin kur je i dekurajuar. Ato do të rivendosin entuziazmin tënd shpirtëror dhe do të të ndihmojnë të rikthehesh “në zierje”. Më poshtë janë tre pikat që mund të ripërtërijnë pasionin tënd shpirtëror.
Krishti Shpengon
Kur je i rraskapitur dhe shpirti yt është i plogësht, mund të fillosh duke marrë një dozë të mirë të asaj që Perëndia ka bërë për ty në Krishtin.
Ja se si ndodhi kjo në jetën time jo shumë kohë më parë. Isha në një vend ku isha i lodhur. Kisha përjetuar shkurajime të ndryshme dhe ndjeja keqardhje për veten. Kisha humbur energjinë dhe motivimin. Mbaj mend që mendova: “Kjo nuk është e mirë. Si do ta largoj veten nga kjo gjendje?”
Shpesh është e dobishme në raste si këto të pyesësh, “Si flet Bibla për atë që po përjetoj tani?” Mendja ime shkoi tek një fjali tek Galatasve 6:9, ku Pali flet për të qenit “të lodhur duke bërë mirë”. E dija se Martyn Lloyd Jones kishte predikuar mbi këtë varg. Kur e gjeta në një video në YouTube, Zoti e përdori atë për të më shkundur nga gjendja dekurajuese ku isha. Lloyd thotë:
Nëse ndonjëherë e gjej veten, qoftë edhe për një fraksion sekonde, duke dyshuar në madhështinë, lavdinë, mrekullinë dhe fisnikërinë e kësaj ecjeje në të cilën jam angazhuar, atëherë po pështyj mbi [Krishtin].
Kjo ishte sikur të më kishin hedhur ujë të ftohtë, për të më zgjuar nga gjendja në të cilën isha. Isha duke pështyrë mbi Krishtin! Si mund ta bëja unë këtë? Ai më ka sjellë në një jetë të shpenguar në të cilën jam falur për të gjithë mëkatin tim, jam i adoptuar me dashuri në familjen e Perëndisë, kam Frymën e Shenjtë brenda meje dhe jam i paracaktuar për një jetë gëzimi të përjetshme. Të kujtoja këtë më ka ndihmuar të mos jem përtac në zell, por të jem i zjarrtë në shpirt, duke i shërbyer Zotit.
Krishti Përtërin
Në Psalmin 23, në vargjet 1 dhe 3, Davidi thotë: “Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë… Ai ma përtërin shpirtin.”
Krishti vdiq për të shpëtuar popullin e Tij dhe Ai jeton për të mbajtur popullin e Tij. Dhe për shkak se ftohemi, të na mbajë do të thotë shpesh të përtërijë shpirtrat tanë. A nuk je i gëzuar që mund t’i besosh Atij për ta bërë këtë? Ai mund ta bëjë këtë nëpërmjet një predikimi, me anë të cilit ti e di se Ai po të flet ty.
Ai mund ta bëjë këtë nëpërmjet vizitës dhe dashamirësisë së një miku. Ai madje mund ta bëjë këtë përmes një videoje në YouTube, që të prek thellë! Por cilido qoftë mjeti, është Zoti ai që të përtërin shpirtin. Satani dëshiron të të mbajë në një fantazmë, kështu që ai do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij, për të të penguar t’i afrohesh Perëndisë.
Satani do të të vërë në mendje këtë argument: “Zemra jote është e ftohtë. Ti nuk je në një gjendje të mirë për të ardhur tek Perëndia. Nuk mund të vish tek Zoti në një gjendje të tillë! Eja tek Ai kur të ndihesh më mirë.” Ky është argumentimi i madh i armikut dhe ai e përdor atë herë pas here për t’i mbajtur të krishterët të lodhur, të dekurajuar dhe letargjikë larg nga i vetmi vend ku do të gjejnë ndihmë dhe lehtësim.
Kur kjo linjë mendimi të kalojë në mendjen tënde, ti duhet të jesh gati me këtë përgjigje: eja tek Krishti ashtu siç je. Eja jo sepse ke zemër të ngrohtë, por për të marrë një zemër të ngrohtë. Krishti nuk thotë: Kthehu “përsëri në zierje” dhe pastaj eja tek unë. Ai thotë, “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.” (Mateu 11:28). Ai është Bariu yt. Ai të drejton dhe të ushqen dhe kur të mungon zelli, Ai është në gjendje të të ripërtërijë shpirtin.
Krishti Mbretëron
Kur mendon për punën që duhet të bësh, a beson se Zoti të ka thirrur për ta bërë atë? Kur sheh se puna jote është për Zotin (shih Kolosianëve 3:23), do t’i japë kuptim të ri çdo gjëje që bën. Sado e vështirë të jetë, ti po i shërben Atij duke e bërë atë. Njerëz të tjerë mund (ose jo) të vlerësojnë atë që po bën. Ata mund të të shpërblejnë (ose jo) për atë që po bën.
Por nëse kujtohesh se po i shërben Zotit Jezus të ringjallur, sovran, kjo do të të ndihmojë të mos jesh përtac ose të kesh mungesë në zell, por të jesh i zjarrtë sepse po i shërben Atij. Është vërtet e vështirë për ushtarët që të ndjekin një gjeneral, nëse ata mendojnë në zemrat e tyre, se ai do të përfundojë në dështim.
Lajmi i mirë për ndjekësit e lodhur të Jezusit, është se ne e dimë se Ai fiton! Varri nuk ishte fundi për Jezusin dhe nuk do të jetë fundi për ne. E keqja nuk e mundi Atë dhe me hirin e Tij, e keqja nuk do të na mundë as ne. Krishti shpengon, Krishti ripërtërin dhe Krishti mbretëron.
“Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.” (1 Korintasve 15:58).
Kështu që, mos ji i plogësht, i fikur, i përtuar! Qëndro “në zierje”, duke i shërbyer Zotit me zemër të ngrohtë kur ditët janë të ftohta dhe të errëta.